Kalendari historik i datës 25 korrik - 2001-07-25

Më 25 korrik të vitit 1963, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Bashkimi Sovjetik arritën një traktat për ndalimin e provave bërthamore. Në tekstin e traktatit thuhej se synimi i tij ishte t’i jepej fund ndotjes së mjedisit nga ana e njeriut nëpërmjet substancave radioaktive. Traktati ndalonte provat me armë bërthamore në atmosferë, në det dhe në hapësirë. Presidenti John F. Kennedy dha këtë shpjegim rreth traktatit në një fjalim drejtuar popullit amerikan : “Për të parën herë në histori është arritur një marrëveshje për të vendosur forcat bërthamore të shkatërrimit nën kontrollin ndërkombëtar. Ky traktat nuk është një arritje e përsosur, por është një hap i parë i rëndësishëm, një hap drej paqes, një hap drejt arsyes, një hap larg luftës.” Traktati u nënshkrua zyrtarisht gjatë një ceremonie në Kremlin më 5 gusht të vitit 1963.

Më 25 korrik të vitit 1952, ishulli Puerto Rico i pellgut të Karaibeve u shpall njësi administrative vetqeverisëse e Shteteve të Bashkuara. Ishulli ishte bërë pjesë e territorit amerikan që nga viti 1898, pasi Shtetet e Bashkuara fituan luftën kundër Spanjës. Shtetet e Bashkuara kishin marrë masa gjatë vitve për të zgjeruar të drejtat e banorëve të ishullit. Portorikanëve iu dha shtetësia amerikane në vitin 1917. Më 1947, Kongresi Amerikan miratoi një ligj, sipas të cilit portorikanëve u jepej e drejta për të zgjedhur guvernatorin e tyre. Në vitin 1950, Kongresi u dha atyre të drejtën të hartonin kushtetutën e tyre, e cila zyrtarisht hyri në fuqi më 25 korrik të vitit 1952, duke u dhënë kështu banorëve të Porto Rikos të drejtën e vetqeverisjes në çështjet e tyre të brendshme, por njëkohësisht duke ruajtur lidhjet e tyre me Shtetet e Bashkuara.