Rreziku i armëve biologjike - 2001-07-24

Një grup ekspertësh paralajmëruan ligjvënësit amerikanë se Shtetet e Bashkuara nuk janë të përgatitura për të përballuar një sulm me armë biologjike. Dje, ekspertë të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare i paraqitën skenarin e një sulmi të mundshëm biologjik Komisionit të Kongresit për Reformën Qeveritare. Ekspertët paraqitën rezultatet e një simulimi të zhvilluar gjatë dy ditëve, në të cilin terroristë imagjinarë ndërmorën një sulm me sëmundjen tepër ngjitëse të lisë. Në Shtetet e Bashkuara kjo lloj sëmundjeje nuk është parë që prej mëse 50 vjetësh prandaj ekspertët thanë se ajo do të përhapej më shpejt se sa koha që do t’u duhej shkencëtarëve të krijojnë vaksinën. Ata thonë se nga një sulm me këtë sëmundje do të gjenin vdekjen 1 milion njerëz brenda 2 muajve dhe vendi do të zhytej në kaos. Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare shtroi kërkesën që mjekët dhe personeli i spitaleve të marrë kualifikimin e duhur për këtë qëllim dhe që vaksinat të jenë gati për çdo rast. Ekspertët rekomanduan gjithashtu që të përmirësohet koordinimi midis agjencive lokale, shtetërore dhe federale.