Maqedoni: prishet armëpushimi - 2001-07-20

Trupat maqedonase zhvilluan dje për disa orë luftime me shqiptarë të armatosur të Maqedonisë. Kjo përbën shkeljen më të rëndë deri më sot të një armëpushimi dyjavor. Ministria maqedonase e Mbrojtjes bën të ditur se kryengritësit shqiptarë hapën zjarr kundër ushtarëve në disa fshatra në afërsi të Tetovës.

Dëshmitarët thonë se ka pasur një shkëmbim zjarri të rëndë me mitraloza dhe me mortaja, për disa orë me radhë, derisa diplomatët perëndimorë i bindën të dyja palët t’i ulin armët. Dy ushtarë maqedonas u plagosën. Nuk ka ndonjë njoftim për viktima në radhët e kryengritësve shqiptarë.

Luftimet janë shkelja më e rëndë që i është bërë deri më sot armëpushimit të 5 korrikut. Armëpushimi u arrit pikërisht para se të dërguarit e Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve evropiane të fillonin bisedimet mbi një marrëveshje për paqe me udhëheqësit politikë maqedonas dhe të shqiptarëve etnikë.

Marrëveshja do të ndryshonte kushtetutën e Maqedonisë për t’u dhënë pakicave më shumë të drejta. Por një dispozitë për njohjen zyrtare të gjuhës shqipe ka bllokuar bisedimet.

Ndërkohë zyrtarë maqedonas të mbrojtjes janë duke akuzuar Naton se ka shkelur dy herë hapësirën ajrore të Maqedonisë, duke ulur helikopterët e saj të shtunën në një rajon të kontrolluar nga kryengritësit shqiptarë, pranë kufirit me Kosovën. Ushtria po kërkon një shpjegim për këtë. Natoja e mohon akuzën.