Kompania Mikrosoft njoftoi se në fillim të nëntorit do të fillojë prodhimin e një lloj paneli lojrash elektronike të quajtur X-box, duke hyrë në konkurencë me firmat më të njohura në këtë fushë Sony dhe Nintendo pikërisht në sezonin e festave. Paneli i lojrave X-BOX, do të kushtojë 229 dollarë.
Zyra e Microsoftit në Washington njoftoi se gjatë festave të fundvitit shpreson të shesë 1 milionë, deri në 1,5 milionë panele, megjithë konkurrencën e fortë të Sonit dhe Nintendos. Për Mikrosoftin, ky do të jetë një sezon mjaft interesant, thotë Robbie Bach, përfaqësuesi i kompanisë që merret me marketimin e panelit të ri.
Ashtu siç e kanë parashikuar analistët financiarë, fillimisht paneli i ri do të shitet me humbje, për të tërhequr sa më shumë blerës. Ata mendojnë se fitimi do të vijë më vonë. Çmimi i ulët do ta bënte tërheqës panelin e ri megjithëse fillimisht duket si një humbje e madhe për kompaninë. Në të kundërtën, një çmim më i lartë mund të sigurojë një fitim më të madh fillimisht, por nuk i tërheq konsumatorët që i vënë rëndësi çmimit.
Hyrja në treg e X-Box-it ka ngjallur debate. Analistët kanë mendime të ndryshme në se tregu mund të pranojë në të njëjtën kohë tre lloje të ndryshme panelesh elektronike nga firma të ndryshme. Ata sjellin shembullin e dështimit të panelit Dreamcast, prodhim i firmës Sega.
Por Microsofti thotë se prodhimi i saj ua kalon paneleve të Sonit, Playstation 2 dhe Gamecube të firmës Nintendo. Megjithatë, analistët e tregut thonë se nuk ka rëndësi se sa i fuqishëm është paneli por se sa interesante janë lojrat.
Microsofti ka në plan të financojë 500 milionë dollarë për marketimin e X-Boxit gjatë 18 muajve të parë, duke e bërë atë një nga finacimet më të mëdha të kompanisë për qëllime marketimi. Planet janë që në datën 8 nëntor në raftet e dyqaneve të ketë 600 mijë deri në 800 mijë panele.
Mikrosofti thotë se paneli i ri është i fuqishëm dhe bazohet në teknologjinë e kompjuterit. Përdoruesit do të kenë mundësi të komunikojnë dhe të konkurrojnë me njëri-tjetrin në internet gjatë lojës. Mikrosofti thotë gjithashtu se paneli i ri do të shitet me 15 deri në 20 lojëra dhe se gjatë muajve të ardhshëm do të prodhohen dhjetra lojëra të tjera.