Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës thotë se pret që zgjedhjet për vetqeverisjen e përkohëshme të zhvillohen nga fundi i këtij viti. Pasi i raportoi Këshillit të Sigurimit në një sesion me dyer të mbylluara, zoti Hans Hakerup u tha gazetarëve se korniza ligjore për vetqeverisjen e Kosovës thuajse ka përfunduar dhe se zgjedhjet mund të zhvillohen nga fundi i këtij viti. Zoti Hakerup thotë se ende ka kundërshtime nga shqiptarët dhe nga pakica serbe në Kosovë lidhur me disa pika të këtij dokumenti. Ai tha se fakti që të dyja palët nuk e mbështesin plotësisht projekt strukturën e qeverisë së përkohëshme mund të kuptohet si një kompromis i mirë.
Kryeadministratori i Kosovës thotë se është i shqetësuar rreth gjendjes në Maqedoni, ku shqiptarë të pakënaqur janë në konflikt të armatosur me qeverinë. Disa shqiptarë në Kosovë i përkrahin kryengritësit në Maqedoni dhe refugjatët nga kjo republikë kanë vërshuar në Kosovë. Një gjë e tillë, tha zoti Hakerup, mund të kërcënojë qëndrueshmërinë në Kosovë.
“Ajo që po ndodh në Maqedoni mund të ketë ndikim të madh në Kosovë, pasi nëse refugjatët vijnë nga Maqedonia në Kosovë, dhe nëse njerëzit e armatosur vijnë nga Maqedonia në Kosovë, atëhere ne do të na duhet të merremi me këtë problem. Sigurisht që një gjë e tillë nuk do të ndihmojë qëndrueshmërinë në Kosovë. Por ne do të përpiqemi të veprojmë sa më mirë”, tha administratori Hakerup.
Zoti Haekkerup thotë se u takon trupave të K-FOR-it për të prerë rrugët e furnizimit midis disa shqiptarëve në Kosovë dhe kryengritësve në Maqedoni. Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës thotë se pret që nga mesi i qershorit Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të dërgojë në Kosovë një mision.