Para 40 vjetësh, virologët, Jonas Salk, Albert Sabin dhe virologia më pak e njohur, Hilary Koprowsky, ishin në garë me njëri-tjetrin për shpikjen e vaksinës së parë në botë kundër poliomelitetit. Vaksinat u prodhuan nga virusi i dobësuar i poliomelitit i zhvilluar në qelizat e veshkave të majmunit. Në fund të viteve ’50, vaksina e prodhuar nga Instituti Winstar në Filadelfia të Pensilvanisë, u përdor në një fushatë vaksinimi në Kongon belge.
Në vitet ’90, me shpërthimin e epidemisë së sidës në shkallë botërore, filloi të ngjallet frika se mos disi vaksina kundër poliomelitit e marrë përmes gojës, e përdorur në Afrikën Qëndrore, kishte shkaktuar shpërthimin e krizës më të rëndë shëndetësore në historinë njerëzore. Argumenti ishte se meqenëse disa kafshë, në mënyrë të veçantë shimpanzetë, bartin një virus shumë të ngjashëm me atë të sidës, atëherë çfarë e pengon atë të shndërrohet në virusin HIV pasi të infektojë njerëzit e vaksinuar?
Mirëpo, shkencëtarët thonë se rezultatet e katër studimeve zhduken njëherë e përgjithmonë shqetësimet se vaksina kishte shkaktuar shpërthimin e epidemisë së sidës. Virologu Simon Vain-Hobson i Institutit Pastëër në Paris dhe kolegët e tij analizuan ADN-në e vaksinës origjinale kundër poliomelitit që merret përmes gojës, e cila u përdor në ish-Kongon belge. “Kur shqyrtuam mostrat e vaksinës, ne dhe një grup tjetër në Angli, nuk gjetëm asnjë shenjë të virusit që shkakton shkatërrimin e sistemit imun të trupit: as të virusit që gjendet tek anjerëzit dhe as të virusit që e dimë se gjendet tek shimpanzetë” - thotë virologu. Profesori Vain-Hobson thotë gjithashtu se vaksinat ishin prodhuar nga qeliza të veshkave të majmunit makak. Këta majmunë jetojnë në Indi dhe në pjesë të Azisë juglindore dhe jo në Afrikë. Profesor Vain-Hobson dhe kolegët e tij i botuan zulimet e tyre në revistën ”Nature”. Dy ekipe të tjera shkencëtarësh japin gjithashtu në revistën Nature prova që hedhin poshtë idenë që vaksina e poliomelitit ka shkaktuar shpërthimin e epidemisë së sidës.
Edhe hulumtuesit në Institutin gjerman Max Plank botuan në revistën ”Science” - shkenca, rezultatet e analizimit të mostrave të dërguara nga Instituti Wistar në Philadelphia. Edhe në këtë rast mostrat treguan qartazi se nuk kishin lidhje midis vaksinës dhe sidën. Drejtori i përkohshëm i Institutit Wistar, Clayton Buck, thotë se është e kuptueshme që publiku të shprehte dyshimet e tij lidhur me këtë vaksinë. “Është e arësyeshme, shprehet zoti Buck, që të thuhet: Ju do t’i përdorni këto vaksina tek fëmijët tanë. Na duhet të dimë se sa mirë janë përgatitur ato. Ç’ka në përbërjen e tyre? Çfarë mund të na tregoni ju për to? Dhe nëse është dyshimi më i vogël se vaksinnat mund të jenë të rrezikshme, është shumë e arsyeshme për ne që t’ju kërkojmë të na pyeni, në mënyrë që të sigurohemi se ato nuk janë të dëmëshme”.
Hilary Koprowsky, është ish-drejtoresha e Institutit Wistar, vaksina e së cilës u përdor në Kongo, i priti rezultatet e këtyre studimeve me kënaqësi: “Reagimi im, thotë virologia Koprovski, është thjeshtë gëzim. Por unë kam qenë gjithmonë absolutisht e sigurt se nuk ka pasur asnjë bazë shkencore për spekulimet rreth kësaj çështjeje” - thotë zonja Koprowsky.
Shumica e shkencëtarëve janë të mendimit se virusi vdekjeprurës që shkakton sidën ka ardhur nga shimpanzetë dhe ka arritur të kapërcejë kufirin ndërmjet llojeve dhe të kalojë tek njerëzit. Profesori Simon Wain-Hobson i Institutit Pastëër thotë se fatëmirësisht për prodhimin e vaksinës kundër poliomelitit janë përdorur qeliza nga veshkat e majmunëve që jetojnë në Azinë Jugore dhe ajo ato të shimpanzeve. Por ai thekson se shkencëtarët nuk duhet ta mospërfillin këtë eposod.