Sekretari amerikan i shtetit në Shkup - 2001-04-12

Sekretari Amerikan i Shtetit Colin Powell tha se Uashingtoni mbështet një Maqedoni të bashkuar. Ai përshëndeti përpjekjet e Maqedonisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me popullatën shqiptare. Zoti Powell u tha udhëheqësve maqedonase se ata ndodhen përballë sfidës për të provuar se njerëzit nga grupe dhe origjina të ndryshme etnike mund të punojnë së bashku për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes dialogut politik. Ai i bëri komentet e tij në kryeqytetin maqedonas Shkup, pas bisedimeve me presidentin Boris Trajkovski dhe me zyrtarë të tjerë.

Më pas, zoti Powell u takua me udhëheqësin e partisë demokratike shqiptare Arben Xhaferi, parti e cila kërkon përfaqësim më të madh të shqiptarëve në administratën e vendit. Po sot zoti Powell dhe Ministri i Jashtëm rus Igor Ivanov thanë se shpresojnë të organizojnë një takim ruso-amerikan të nivelit të lartë nga muaji korrik. Të dy diplomatët ranë dakort se ndërtimi i marrëdhënieve konstruktive dhe produktive është në interes të të dyja vendeve.