Presidenti Obama merr përgjegjësinë për dështimin në sistemin e sigurisë

Presidenti Barak Obama thotë se Shtetet e Bashkuara do të punojnë për t’u siguruar që dështimet në fushën e zbulimit dhe të sigurisë, që çuan në tentativën për sulm terrorist ndaj aeroplanit që udhëtonte për në Shtetet e Bashkuara, nuk do të ndodhin më. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klain nga Shtëpia e Bardhë, presidenti thotë se incidenti ishte dështim i sistemit dhe jo i individëve.

Presidenti Obama thotë se faji nuk është i një agjencie apo një personi për boshllëqet që lejuan incidentin të ndodhë. Por ai thotë se është përgjegjësia e tij të garantojë sigurinë e popullit amerikan.

“Nuk jam i interesuar t’i vë fajin dikujt, jam i interesuar të mësojmë nga gabimet dhe t’i korrigjojmë ato për të garantuar sigurinë tonë. Si president, unë kam përgjegjësinë solemne për të mbrojtur vendin dhe popullin tonë, dhe kur sistemi dështon, kjo është përgjegjësia ime.”

Presidenti i bëri komentet dje pasi kaloi disa ditë duke lexuar raportin mbi incidentin dhe pas takimeve me zyrtarë të lartë për të analizuar se çfarë nuk kishte shkuar si duhet.

“Në këtë fazë të procesit, nuk duket se ishte faji i një individi apo organizate, por një dështim i sistemit të disa organizatave dhe agjencive.”

Nigeriani 23-vjeçar, Umar Faruk Abdulmutallab, hipi në një aeroplan pasagjerësh që udhëtonte nga Amsterdami në Shtetet e Bashkuara në Ditën e Krishtlindjeve, dhe u përpoq, por dështoi të shpërthente eksplozivët që kishte qepur tek të mbathurat. Babai i tij i kishte paralajmëruar autoritetet amerikane se djali i tij ishte përfshirë me ekstremistët myslimanë.

Këshilltari i presidentit kundër terrorizmit, Xhon Brenan, thotë se zyrtarët amerikanë nuk dështuan në mbledhjen dhe ndarjen e informacionit mbi komplotin, por ata nuk arritën ta lidhnin këtë informacionin me zotin Abdulmutallab.

“Ne e pamë komplotin të planifikohej, por në atë kohë nuk e dinim se bëhej fjalë për dërgimin e zotit Abdulmutallab në Shtetet e Bashkuara.”

Për parandalimin e komploteve terroriste në të ardhmen, zoti Obama njoftoi disa ndryshime në procedurat e zbulimit dhe të sigurisë. Mes tyre bëhet fjalë për shpërndarjen më të shpejtë dhe më të gjerë të raporteve të zbulimit dhe procedura të reja për listat e mbikqyrjes së terroristëve.

Presidenti tha se ndryshimet do t’i ndihmojnë Shtetet e Bashkuara të reagojnë më shpejt.

“Në garën e pafund për mbrojtjen e vendit tonë, ne duhet të jemi një hap para kundërshtarit. Dhe këto hapa janë paraparë për këtë qëllim.”

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se masat e sigurisë do të jenë më të rrepta në aeroportet amerikane, duke përfshirë më shumë analiza sjelljesh, qenë që nuhatin eksplozivë dhe skanime të plota trupore.

Megjithatë, presidenti thotë se vendi nuk do t’i nënshtrohet mentalitetit të një shtetrrethimi.

“Vendet e mëdha dhe krenare nuk përkulen dhe nuk fshihen pas mureve të dyshimit dhe mosbesimit. Pikërisht këtë duan kundërshtarët tanë. Por për sa kohë që unë jam president, ne nuk do t’ua japim atyre këtë fitore.”

Presidenti tha se amerikanët do të jenë ata që përcaktojnë karakterin e vendit të tyre dhe jo terroristët.