Shqipëri: Ushtria largon banorët nga zonat e përmbytura

Në orët e mbrëmjes, forcat e policisë dhe të ushtrisë ndërhynë në zonat e përmbytura në komunën e Dajçit, duke larguar banorët drejt zonave më të sigurta. Në rrugën hyrëse të kësaj komune është vendosur edhe një postbllok i policisë, i cili pengon hyrjen në zonën e përmbytur, të njerëzve, mjeteve, madje edhe të gazetarëve.

Në zonë është rritur niveli i ujrave si dhe është ndërprerë energjia elektrike. Drejtues të policisë thonë se nga zona janë evakuar rreth 90 përqind e banorëve, por vetë banorët e mohojnë një gjë të tillë.Siodoqoftë, gjatë të gjithë natës forcat e policisë dhe ushtrisë kanë vazhduar operacionin për largimin e banorëve nga banesat e përmbytura në komunën e Dajçit. Në mëngjesin e djeshëm, shtabi i emergjencave civile për Qarkun e Shkodrës, shpalli “zona të evakuimit” Komunën e Dajçit dhe atë të Anës së Malit.

Komandanti i Forcave policore të ndërhyrjes së shpejtë për Shkodrën, Ivzi Bushati, i cili po drejton operacionin e vakuimit, tha mbrëmë se ka një ndërgjegjësim më të madh të banorëve, të cilët gjatë katër ditëve të fundit refuzuan largimin nga zonat e përmbytura, për shkak të frikës së humbjes së pasurisë së tyre.

"Janë marrë të gjitha masat për evakuimin e popullatës dhe, në këto momente, pjesa më e madhe e tyre janë evakuuar. Tani ka një ndërgjegjësim tjetër të banorëve të këtyre zonave. Është një marrëveshje që, në banesa të qendrojnë kryefamiljarët, për shkak të pasurisë dhe bagëtive që nuk mund t’i largojnë, ndërsa gratë, fëmijët , të moshuarit dhe të sëmurët janë larguar plotësisht."

Pas largimit të banorëve nga zonat e rrezikuara, pritet të rriten shkarkimet nga ujëmbledhësit e hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, gjë që do të rrisë edhe nivelin e ujrave në zonat e përmbytura e bashkë me të edhe numrin e banesave nën ujë.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme njoftoi se është përgatitur për të evakuuar nga zona e përmbytjes rreth 9 mije banorë. Gjatë orëve të fundit, harta e përmbytjes është shtuar, duke përfshirë jo vetëm dy komunat problematike të Dajçit dhe Anës së Malit, por edhe Komunën e Rrethinave, Velipojës, Bushatit si dhe dy lagje të qytetit të Shkodrës. //kh//