Një sulm vetëvrasës me bombë ka shkatërruar një hotel në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, duke vrarë mbi 20 vetë, mes tyre tre ministra të qeverisë somaleze.
Dëshmitarët thanë se autori i sulmit e hodhi veten në erë gjatë një ceremonie diplomimi të sudentëve universitarë, sot në hotelin Shamo. Shumë nga të vrarët sipas njoftimeve, ishin studentë që prisnin të merrnin diplomat, shumica e tyre nga Universiteti Banadir, si dhe familjarët e tyre.
Zyrtarët thanë se mes të
vrarëve ishin Ministri i Shëndetësisë, Qamar Adan Ali, ai i Arsimit Ahmed
Abdulai Wayeel dhe ai i Arsimit të Lartë, Dr.Ibrahim Adow. Po ashtu, në këtë
sulm u vranë dy gazetarë somalezë, një i radios Shabelle dhe një kameran i
televizionit Al-Arabija. Asnjë grup nuk e ka marrë deri tani përgjegjësinë për
sulmin, por dëshmitarët thanë se autor i tij ishte një anëtar i një grupi
islamik me lidhje me Al Kaidën.
Sulmin e dënuan si Bashkimi Afrikan, ai Evropian, Norvegjia, Lidhja e Shteteve Arabe dhe Autoriteti Inter-qeveritar, një organizatë me vendet e Afrikës Lindore. Somalia ka përjetuar 18 vjet në kaos dhe konflikt që nga rënia e qeverisë së fundit të qëndrueshme në vitin 1991. Qeveria aktuale e Presidentit Sheik Sharif Sheik Ahmed ka nën kontroll vetëm një rajon të vogël të kryeqytetit.//lk