Teksa afrohet 20 vjetori i Revolucionit kadife të vitit 1989 në Varshavë, Berlin, Budapest dhe Pragë që çuan në rënien e Murit të Berlinit dhe ndryshimet paqësore demokratike në rajon, regjimet e mbyllura po përpiqen të parandalojnë zhvillimin e ngjarjeve të tilla në vendet e tyre. Ndikimi i mbështetjes ndërkombëtare për lëvizje jo të dhunshme gjatë viteve të fundit, është vënë shpesh në provë, më së fundi në Iran.
Që nga viti 1989 kanë ndodhur mjaft gjëra në botë. Pluralizmi demokratik është tashmë një normë anembanë Europës. Lëvizjet në vendet baltike, Kroaci, Serbi, Gjeorgji dhe Ukraine kanë shumë prej karakteristikave të Revolucionit Kadife. Pyetja shtrohet: A mund të kenë sukses lëvizje të ngjashme paqësore në vende si Irani, ku sunduesit autoritarë përpiqen të ndalojnë lëvizjet popullore për ndryshim, dhe se si demokracitë perëndimore duhet t'u përgjigjen lëvizjeve të tilla.
Specialistë gjatë një diskutimi në Institutin Brookings në Washington, sugjeruan se ndërsa lëvizjet paqësore përballen me sfida dhe ndoshta nuk sjellin sukses të menjëhershëm, veprimet e padhunshme mund të jenë më të fuqishme se konflikte e armatosura për të sjellë ndryshime sociale.
Timothy Garton Ash, profesor i studimeve Europiane në Universitetin e Oxfordit dhe dëshmitar i revolucioneve në Europën Qendrore, që i dhanë fund komunizmit në Europë, thotë se lëvizje të tilla hodhën themelet e një modeli të ri ndryshimesh të padhunshme.
"Modeli i 1989 ishte i padhunshëm, me përpjekje për të ndërtuar një koalicion sa më të gjerë social me pjesmarrje masive, ku veprimet sociale të kanalizohen drejt kompromiseve të negociuara. Simboli i 1789 ishte shtypja me dhunë, ndërsa simboli i 1989 është tavolina e rrumbullakët ku negociohet".
Në çdo rast lëvizjesh të padhunshme, është testuar seriozisht vullneti i komunitetit ndërkombëtar. Sipas profesorit Ash, në vitin 1989 administra e ish-presidentit George Bush, në mënyrë të pabesueshme, nuk bëri asgjë gjatë 9 muajve të parë që ishin vendimtarë.
"Ata nuk bënë asgjë që ta acaronin gjendjen. Si historian mund t'u them se ishte ndoshta veprimi më i mirë që Shtetet e Bashkuara mund të bënin në atë moment. Situata ishte ideale sepse Shtetet e Bashkuara kishin bërë një punë papushim për 30 vjet, duke ndihmuar në krijimin e kushteve, që njerëzit në terren të mund të bënin realitet ëndrrat e tyre".
Por Thomas Carothers, nën-president i Institutit Carnegie për Paqen Ndërkombëtare, thotë se tendenca është që të përqëndrohemi tek suksesi, por dështimet duhet të shërbente si një këmbanë alarmi për botën perëndimore.
"Iu kushtua shumë vëmedje Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Kirgistanit si dhe konceptit të revolucioneve me ngjyra. Ne mendojmë se kemi pasur sukses. Por ishte edhe Bjellorusia, që në përgjithësi ka qënë dështim; Azerbajxhani nuk ka bërë asnjë përparim, Kuba, 40 vjet mbështetje nuk kanë dhënë asgjë rezultat. Po ashtu Birmania, Kazakhistani dhe shumë vende të tjera".
Disa regjime autoritare e kanë etiketuar Revolucionin Kadife si "një komplot subersiv" i organizuar nga jashtë dhe si një kërcënim për pushtetin e tyre.
"Mbi të gjitha në asnjë rast perëndimit nuk i krijoi këto ngjarje. Në çdo rast, populli në terren ishte prapa të gjitha këtyre ngjarrjeve. Demokracitë perëndimore thjesht u përgjigjën, e ndoshta edhe i mbështetën ato".
Suzanne Maloney Instituti Brookings shton se katër muajt e fundit kanë sjellë një sërë zhvillimesh të papritura dhe të rëndësishme në Iran.
"Për herë të parë që nga 1978-79 pamë një numër të madh iranianësh të dalin nëpër rrugë për të protestuar jo vetëm për vjedhjen e zgjedhjeve dhe parregullsitë në zgjedhjet e 12 qershorit, por dhe për të shprehur pakënaqësinë, zhgënjimin dhe zemërimin ndaj sistemit, që ata besojnë se nuk iu shërben interesave të tyre. Është herët të thuhet në se kjo lëvizje iraniane ka pasur sukses apo jo. I mbetet historisë të vendosë nëse zhvillimet e lidhura me zgjedhjet 12 qershorit ishin një revolucion apo protesta më e fundit në historinë e gjatë të luftës së popullit iranian për një demokraci të vërtetë".
Me ardhjen e administratës së re në Uashington, ajo përballet me një sërë zgjidhjesh të vështira, duke përfshirë edhe në se dhe si të luajë një rol udhëheqës në mbështetje të lëvizjeve të padhunshme për ndryshim.
"Presidenti Obama u kritikua disi për përgjigjen e tij tejet të ftohtë ndaj lëvizjes së fundit në Iran. Për mendimin tim, nëse qëndrimi i tij ishte i gabuar, ai ishte shumë i vogël. Sepse kur regjimi përpiqet që të diskretitojë lëvizjen duke e identifikuar me djallin e madh, Shtetet e Bashkuara, si dhe djallin e vogël, Britaninë, përgjigja duhet të jetë e kujdeshme në mënyrë që të mos rezultojë më shumë në dëm se sa në fitim të lëvizjes".
Suzane Maloy thotë se angazhimi i administratës Obama me Teheranin është një mjet i duhur për të zgjidhur çështjen e armëve bërthamore, që mund të çojë drejt një të ardhmeje demokratike në Iran.
"Mendoj se është e përshtatshme për administratën Obama që të vazhdojë përpjekjet për t'u angazhuar me Iranin. Kjo nuk do të thotë që çështja e të drejtave të njeriut të vijë në plan të dytë apo të tretë të këtyre përpjekjeve".
Ekspertët sugjerojnë që mënyrat më të efektshme për të ndihmuar në suksesin e lëvizjeve demokratike është krijimi i shoqërive të lira, të forta, të hapura dhe tërheqëse; përhapja e informacionit për regjimet e mbyllura rreth shoqërive të tyre përmes transmetimeve të huaja, si dhe zhvillimi i përgjigjeve të qarta dhe të koordinuara për lëvizje të tilla demokratike. //ad//