Presidenti Obama ka plane për të ndihmuar bizneset e vogla

Presidenti Obama kërkon të mundësojë më shumë para për bizneset e vogla duke caktuar miliarda dollarët që fillimisht ishin caktuar për të shpëtuar institucionet gjigande financiare, të përdoren tani për bankat më të vogla. Presidenti po i kërkon Kongresit të shtojë huatë për bizneset e vogla dhe të japë kapital me interes të ulët për bankat e vogla me synimin për të qarkulluar përsëri kreditin për bizneset e vogla.

Megjithëse ekonomia e dërrmuar amerikane po fillon të tregojë shenja përmirësimi, njerëzit ende po humbasin shtëpitë, numri i papunësisë po shtohet dhe shumë banka ngurojnë të japin hua.

Presidenti Obama thotë se shtrëngimi i kreditimit dëmton bizneset e vogla:

“Bizneset e vogla kanë qënë disa nga më të goditurat nga recesioni. Nga mesi i vitit 2007 deri në fund të 2008ës bizneset e vogla humbën 2 presje 4 milionë vende pune”.

Presidenti kërkon të shtojë tavanin maksimal të huave për bizneset e vogla. Ai po i kërkon kongresit të mundësojë që miliarda dollarët e caktuar fillimisht për të shpëtuar institucionet e mëdha financiare të jepen për bankat e komunitetit, zakonisht banka me më pak se një miliardë dollarë asete.

“Në se këto institucione hartojnë një plan për të shtuar huadhëniet për bizneset e vogla, ne do t’i ndihmojmë të kenë kapitalin e nevojshëm për të dhënë para me norma interesi të përballueshme ashtu si nga institucionet e mëdha financiare”. - thotë zoti Obama

“Bankat e komunitetit do të jenë katalizatori i kthimit të kësaj ekonomie dhe çfarëdo mbështetje të marrin nga qeveria do të na ndihmojë”. - thotë Dorothy Bridges e City Bank në Uashington

Dorothy Bridges është drejtoreshë ekzekutive në bankën City First Bank në Uashington. Ajo thotë se këto janë kohë sfiduese për bankat dhe bizneset që ato u shërbejnë. Dorothy beson se propozimi i presidentit do të bëjë që bankat e vogla të ndihmojnë më shumë njerëz. Ajo thotë:

“Ne i njohim njerëzit e komunitetit, i njohim bizneset e zonës që i japin gjallërinë komunitetit tonë”.

Por nuk janë vetëm bizneset e vogla që përfitojnë nga bankat e komunitetit. Sylvia Robinson është drejtoreshë ekzekutive për organiatën jo-fitimprurëse Emergence Community Arts Collective.

“Ky është një vend ku njerëzit mund të vijnë të mësojnë marrëdhëniet sociale, të mosojnë për kulturat dhe të edukohen për fusha të ndryshme” - thotë ajo

Ëndrra e Sylvias për ta kthyer këtë ndërtesë shekullore në një qendër komuniteti për pak sa nuk u realizua. Pasi u refuzua nga disa banka të mëdha, City First ra dakort të financonte blerjen e ndërtesës historike për 850 mijë dollarë.

“Pa huanë, nuk do ta arrinim të kishim këtë qendër. Ishim të dëshpëruar për ta mbajtur këtë ndërtesë"

Robinson beson se bankat e vogla mund të luajnë një rol të rëndësishëm në rimëkëmbjen e komuniteteve. Por kritikët thonë se duhet më shumë për të rregulluar sistemin financiar të vendit.//mm//