Vendosen marrëdhëniet diplomatike Kosovë-Maqedoni

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës bëri të ditur se janë vendosur marrëdhënie diplomatike me Maqedoninë.Ministrat e jashtëm të të dyja vendeve kanë nënshkruar aktin e vendosjes së këtyre marrëdhënieve, pak orë pasi Parlamentet miratuan marrëveshjen për përcaktimin e kufirit.

Në tekstin e marrëveshjes thuhet se Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë kanë vendosur të themelojnë marrëdhëniet diplomatike në nivel ambasadorësh, që nga data e nënshkrimit të këtij akti.

Maqedonia e njohu pavarësinë e Kosovë në tetor të vitit të kaluar, por çështja e shënimit të kufirit vonoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Pavarësinë e Kosovës që kundërshtohet ashpër nga Beogradi, e kanë njohur 62 vende të botës përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.

Autoritetet në Prishtinë thanë se përcaktimi i vijës kufitare me Maqedoninë forcon pozitën e saj në procesin e shqyrtimit të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë, që do të mbahet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. //mm//