Iran: Sulm vetëvrasës, vriten komandantë të Gardës

  • Elizabeth Arrot

Një vetëvrasës me bombë vrau gjashtë komando të Gardës Revolucionare elitë të Iranit dhe të paktën 35 persona të tjerë. Presidenti Mahmud Ahmadinexhad thotë se sulmi ishte planifikuar në Pakistan. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Arot sjell hollësi nga zyra jonë në Lindjen e Mesme në Kairo.

Media shtetërore iraniane njoftoi se shpërthimi vetëvrasës me bombë vrau zëvendës komandantin e këmbësorisë së Gardës Revolucionare dhe komandantin e Gardës në rajonin e trazuar të Sistan-Baluçistanit në kufi me Pakistanin.

Njoftimet e lajmeve thonë se sulmuesi kishte në shenjestër njerëzit e mbledhur në qytetin e Pishinit për një takim pajtues mes udhëheqësve lokalë shiitë dhe suni. Grupet pakicë suni, veçanërisht ato me origjinë nga Baluçistani, janë ankuar shpesh për diskriminim në Iranin e dominuar nga shiitët.

Kryeprokurori i rajonit është cituar të ketë thënë se grupi kryengritës suni Jundallah, apo ushtarët e Zotit, ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Por ky grup nuk ka publikuar ndonjë deklaratë të vetën, megjithëse njihet për sulme anti-qeveritare në të kaluarën.

Pol Ingram, bashkë-drejtor i Këshillit Informativ Britaniko-Amerikan të Sigurisë me bazë në Londër, vë në dukje se sulme të tilla kanë ndodhur prej vitesh. Megjithatë, thotë ai, ky sulm ishte më i veçantë.

“Ky sulm është i pazakontë, sepse duket se ka pasur sukses në goditjen e Gardës Revolucionare në nivelet më të larta.”

Kryetari i parlamentit iranian, Ali Larixhani, akuzoi Shtetet e Bashkuara se qëndronin pas sulmit. Departamenti amerikan i Shtetit e dënoi këtë akt terrorizmi dhe shprehu keqardhje për viktimat e pafajshme. Departamenti tha se akuzat për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara ishin të pavërteta.

Analisti i sigurisë Pol Ingram thotë se akuza të tilla janë problematike.

“Është e vështirë të dihet, por akuza të tilla ka pasur nga Garda Revolucionare edhe në të kaluarën.”

Zoti Ingram vë në dukje se qeveria iraniane ka interes t’ua hedhë fajin forcave të jashtme.

Teherani është nën presion brenda vendit për shkak të zgjedhjeve të debatueshme presidenciale, por edhe jashtë tij për programin bërthamor, për të cilin Shtetet e Bashkuara dyshojnë se zbatohet për prodhimin e armëve bërthamore. Irani, i cili i mohon akuzat, ka rënë dakort kohët e fundit t’i lejojë inspektorët e huaj të shohin uzinën e pasurimit të uraniiuimit dhe ka zhvilluar bisedime me Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore për të zbutur shqetësimet mbi programin e tij bërthamor. //bsa//