Komisioni Evropian hodhi sot propozimin për fillimin e një procesi i cili do të shpjerë deri tek liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe fillimin e përgatitjeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse tregtare me Kosovën. Por, këto varen nga përmbushja e kritereve të nevojshme.
Ky synim është shpallur nga Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian Oli Rehn, i cili ka paralajmëruar siç thuhet, një varg të masash praktike për të ndihmuar përmirësimin e jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës. Këto masa, sipas tij do t’i dëshmojnë Kosovës se përafrimi me Bashkimin Evropian, nuk është diçka abstrakte, por ka të bëjë me përfitime reale e të prekshme për të gjithë.
Zoti Rehn u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të mbështesin propozimet dhe të sigurojnë se Kosova mban hapin me zhvillimet në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor.
Nisma e tillë është pjesë e Strategjisë së Komisionit për Zgjerim për vitin 2009, e cila po ashtu përfshin Raportin e Përparimit në Kosovë. Në këtë dokument i cili ju dorëzua autoriteteve në Kosovë nga shefi i zyrës së këtij KE-së në Prishtinë Renzo Davidi, thuhet se Kosova ka shënuar ca përparim në përmbushjen e kritereve politike, në veçanti duke forcuar kornizën ligjore. Institucionet kryesore të qeverisjes përmbushin përgjegjësitë e tyre në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare. Megjithatë, kapacitetet e administratës publike dhe të Parlamentit kanë nevojë të forcohen.
Komisioni kërkon përpjekje të vazhdueshme për reformën në gjyqësi dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në jetën publike, përfshirë edhe zgjedhjet lokale, mbetet një sfidë e madhe, prandaj kërkohen përpjekje të mëtejme për të ndërtuar besimin dhe për të kultivuar dialogun.
Kosova ka bërë shumë pak përparim drejt themelimit të një ekonomie funksionale të tregut. Reforma rrënjësore dhe investime madhore janë të nevojshme për t’i mundësuar ekonomisë afatgjate të Kosovës të përballet me trysninë nga konkurrenca dhe forcat e tregut brenda BE-së.
Ekonomia e Kosovës ka shënuar një rritje, kryesisht duke bazuar në konsum dhe investime publike. Megjithatë, deficiti tregtar, edhe ashtu shumë i lartë, po vazhdon të thellohet, ndërsa sundimi i dobët i ligjit, korrupsioni i përhapur gjithandej dhe pasiguria rreth të drejtave pronësore vazhdojnë të jenë pengesa madhore për zhvillim ekonomik.
Jetësimi i standardeve evropiane është në një fazë shumë të hershme përkitazi me mjedisin, energjinë, konkurrencën, lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit. Përafrimi me Bashkimin Evropian mbetet i kufizuar në fushat e kontrollit financiar dhe statistikave, shpëlarjes së parave, krimit të organizuar, terrorizmit dhe mbrojtjes së të dhënave.
Në reagimin e parë pas publikimit të raportit Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se ai konfirmon ardhmërinë e qartë evropiane të Kosovës, ndërsa shqetësimet thotë ai, janë të njëjta sikurse edhe të qeverisë së tij...
Opozita ndërkaq është shprehur e shqetësuar me tonet e raportit e Komisionit Evropian...//lk