Protesta në Prishtinë kundër marrëveshjes EULEX - Beograd

Në një marshim rrugëve qendrore të Prishtinës, mijëra qytetarë të Kosovës protestuan sot kundër protokollit për bashkëpunim policor ndërmjet Misionit të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Protokolli i diskutueshëm u nënshkrua të premten pas një periudhe debatesh të ashpra dhe kundërshtimit të udhëheqësve të Kosovës të cilët thanë se nuk janë pjesë e këtij protokolli.

Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë thanë se protokolli është më rëndësi thelbësore për luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa i siguruan udhëheqësit në Prishtinë se ai nuk e dëmton sovranitetin e vendit.

Por protestuesit thanë sot se ky dokument dëmton Kosovën dhe sovranitetin e saj. Ata hodhën parulla kundër EULEX-it por edhe institucioneve të vendit, madje pati edhe kërkesa për dorëheqjen e tyre për shkak të qasjes ndaj protokollit.

Udhëheqësi i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, tërhoqi vërejtjen në pasojat që ka protokolli për vendin dhe të ardhmen e tij.

"Nuk është dallimi themelor midis EULEX-it dhe protokolleve të tij me Serbinë, por midis një shtet sovran dhe një shteti me EULEX mbi kokë. Përderisa Kosovën nuk e forcojnë as ekonomikisht kurse Serbinë e forcojnë edhe politikisht, është e qartë se ku shpie kjo rrugë. Kjo rrugë po na çon drejt gjakderdhjeve të reja që ne më së paku i duam", tha zoti Kurti.

Nënshkrimi i protokollit për bashkëpunim policor, pritet të pasohet edhe me nënshkrimin e dy marrëveshjeve të reja teknike, për doganat dhe gjyqësinë, që sipas lëvizjes vetëvendosje janë vazhdimësi e planit gjashtë pikësh të Kombeve të Bashkuara që parashihet një shkallë të gjera autonomie për policinë, gjyqësinë e doganat në zonat e banuara me shumicë serbe.

Zoti Kurti tha se kjo dëshmon sërish se sovraniteti i Kosovës është i cunguar.

"Kosova është sovrane vetëm jashtë atje ku i ka ambasadat e saj por jo edhe brenda vendit, në territorin e institucionet e saj. Por ndoshta kjo s'duhet të jetë e çuditshme: më të mira janë tekstet e disa njohjeve të pavarësisë që na kanë ardhur nga shtete të ndryshme sesa teksti i deklaratës së pavarësisë", theksoi zoti Kurti.

Protesta e sotme kaloi e qetë dhe pa asnjë incident nën mbikëqyrjen e forcave të mëdha të policisë që kishin marrë masa për të parandaluar çdo veprim të dhunshëm. Muajin e kaluar 21 pjesëtarë të lëvizjes Vetëvendosje u arrestuan pas një aksioni gjatë të cilit u dëmtuan 28 makina të EULEX-it.//lk