Dell: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme

Ambasadori amerikan Kristofer Dell, tha sot se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe Shtetet e Bashkuara do të mbështesin shtetin e ri në proceset e integrimeve euroatlantike.

Ai i bëri këto komente pas takimeve të para me drejtuesit e lartë të Kosovës, pak ditë pasi mori postin e ambasadorit të dytë të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë. Duke i dorëzuar presidentit të Kosovës Fatmir Sejdu letrat kredenciale ai e siguroi atë për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Ai tha se politika amerikane ndaj Kosovës është e thjeshtë dhe e qartë.

“E para. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe mbështetja amerikane ndaj pavarësisë së Kosovës është e palëkundshme. E dyta. Ne jemi të përkushtuar për projektin e përbashkët të ndërtimit të një vendi demokratik, ligjor, shumetnik, tolerant e përparimtar që do të bëhet anëtar i familjes transatlantike dhe evropiane”, tha zoti Dell.

Ai tha se janë disa detyra të përbashkëta, duke filluar nga ndërtimi i institucioneve të qeverisjes, për ta bërë Kosovën shtëpi të përbashkët të të gjithëve, për të vendosur themelet e një ekonomike të qëndrueshme, për të vendosur sundimin ligjit dhe për të punuar bashkë me partnerët evropian për të çuar Kosovën drejt familjes evropiane.

“Asnjë prej këtyre nuk do të jetë e lehtë, por mua më është thënë të vijë këtu, të përveshë mëngët dhe të punojë për t’ju ndihmuar për përmbushjen e tyre”, tha ai.

Ambasadori Dell shprehu bindjen se tërë këto projekte të përbashkët do të përmbushen duke u mbështetur siç tha jo vetëm në lidhjet e fuqishme historike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe parimet e përbashkëta që lidhin të dy popujt.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, u shprehu mirënjohjen e tij qeverisë dhe popullit amerikan për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën.

“Është kënaqësi e jona e veçantë që zoti Dell është një njohës i mirë i të gjitha zhvillimeve, rrethanave në Kosovë; ka qenë edhe një kohë të mëhershme këtu dhe ka udhëhequr me sukses misionin amerikan në Kosovë. Ne do të kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht të ngushtë me të dhe me të gjithë ekipin që ky do ta udhëheqë. Prandaj, shprehim konsideratat më të larta dhe natyrisht konsideratat dhe falënderimet për SHBA-të dhe mbështetjen e tyre të përhershme që i kanë dhënë Kosovës”, tha presidenti Sejdiu.

Ambasadori Kristofer Dell ka drejtuar zyrën amerikane në Prishtinë në vitet 2000 – 2001 periudhë e rimëkëmbjes së vendit që posa kishte dalë nga lufta. Në atë kohë, ai luajti rol të rëndësishëm edhe në përpjekjet për shtendosjen e gjendjes në Luginën e Preshevës e cila ishte përfshirë në konfliktin ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve shqiptarë. (ze)