Skocia liroi për shkaqe shëndetësore një libian që vuante dënimin me burgim të përjetshëm për hedhjen në erë në vitin 1988 mbi Lockerbie të një avioni duke shkaktuar vdekjen e 270 vetave.
Ministri skocez i drejtësisë, Kenny MacAskill e njoftoi lirimin sot në Edinburg, duke thënë se kjo u bë për arsye humanitare. Autoritetet thonë se personi në fjalë, ish zyrtari libian i zbulimit Abdel Baset al-Megrahi, është në prag të vdekjes nga kanceri.
Menjëherë pas lirimit, Megrahi u dërgua me një ambulancë në një aeroport aty afër dhe pastaj u mor me një avion që kishte ardhur posaçërisht për të nga Libia.
Hamendjet e shprehura kohët e fundit për lirimin e parakohshëm të Megrahit i zemëruan familjet e viktimave, shumë prej të cilëve ishin studentë amerikanë që ktheheshin nga studimet në Europë. Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë thoshte se Shtetet e Bashkuara shprehin keqardhje të thellë për vendimin e Skocisë./ap.