Policia e Kosovës, bëri të ditur se janë arrestuar shtatë persona të përkatësive të ndryshme etnike nën dyshimin për përfshirje në krim të organizuar. Arrestimet janë kryer në qytetin e Vushtrrisë që ndodhet në mesin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë. Në mesin e të arrestuarve janë tre shtetas të Serbisë, nga të cilët dy pjesëtarë të komunitetit serb dhe një i atij boshnjak dhe katër shqiptarë, shtetas të Kosovës.
Zëdhënësi i policisë Arbër Beka tha se të gjithë të arrestuarit që dyshohen për përfshirje në krim të organizuar, po mbahen në paraburgim. Ai tha se gjatë arrestimit policia ka konfiskuar një sasi të konsiderueshme të stolive të arit të cilat arrijnë vlerën në disa qindra mijëra euro.
Zëdhënësi Beka tha se nëpërmjet zyrave ndërlidhëse të Interpolit do të vazhdojë procesi i përcaktimit të origjinës së gjësendeve të zbuluara gjatë operacionit i cili ka vazhduar më bastisje në Prizren e Prishtinë ku ndodhen shtëpitë e disa prej të arrestuarve. /ap.