Udhëheqësit politikë të Kosovës shprehën sot bindjen se vendi së
shpejti mund të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave me
Bashkimin Evropian dhe qytetarët e vendit nuk kanë arsye të kërkojnë
dokumente udhëtimi të Serbisë. Komentet pasuan njoftimet se Komisioni
Evropian ka vendosur që asnjë qytetar i Kosovës, nuk do të mund të
shfrytëzojë pasaportat biometrike të Serbisë për të përfituar nga
procesi i liberalizimit të vizave. Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia
pritet të përfitojnë nga ky proces duke filluar nga janari i vitit
2010, ndërsa Kosova ende mbetet jashtë tij, meqë pavarësia e saj nuk
është njohur nga 5 vende të Bashkimit Evropian.