Kosovë: Shumica e policëve serbë kthehen në punë

Në Kosovë Ministria e Punëve të Brendshme tha se pjesa më e madhe e pjesëtarëve të policisë nga radhët e komunitetit serb janë kthyer në vendet punës, pas më se një vit bojkotimi.

Pjesëtarët serbë të policisë së Kosovës u larguan nga vendet e punës pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të vitit të kaluar. Ata u pezulluan nga puna por vazhduan të paguhen nga buxheti i Kosovës.

Në maj të këtij viti atyre iu hoq e drejta e pagesës nga buxheti i Kosovës, dhe autoritetet vendosën 30 qershorin si afatin e fundit për kthimin e tyre në punë. Ministria e Brendshme bën të ditur se vetëm 15 nga 325 policët e pezulluar nuk janë kthyer ende në punë.

Ministria e Brendshme në Kosovës e cilëson këtë kthim si një hap shumë pozitiv në funksion të ndërtimit të një institucioni shumetnik. Edhe misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë EULEX mirëpriti kthimin e pjesëtarëve serbë të policisë, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një shërbimi policor shumetnik, i cili punon për të mirën dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Prishtina ka përjashtuar mundësinë për krijimin e një zinxhiri të veçantë komandues për pjesëtarët serb të policisë, një kërkesë kjo e cila ishte shtruar në vazhdimësi nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Po ashtu autoritetet thanë se nuk ka pasur ndonjë marrëveshje të veçantë për kthimin e pjesëtarë serb të policisë.//lk