Shtetet e Bashkuara hodhën poshtë akuzat iraniane se Uashingtoni po ndërhyn në procesin zgjedhor të Iranit.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs tha se Presidenti Barak Obama do të vazhdojë të mbështesë të drejtën e iranianëve për të protestuar paqësisht pa ndërhyrë në politikën iraniane.
Zoti Gibs i bëri komentet pas ankesave të ministrisë së Jashtme iraniane për ato që ajo i quante deklarata ndërhyrëse amerikane. Ministria thirri ambasadorin zviceran për t’i paraqitur ankesat pasi ai përfaqëson interesat amerikane në Teheran.
Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton tha se çdo zgjedhjet duhet të pasqyrojë vullnetin e popullit dhe shtoi se “u takon iranianëve të vendosin se si do ta zgjidhin këtë protestë të brendshme lidhur me rezultatin e zgjedhjeve.”
Ajo tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të ndjekin politikën e angazhimit me Iranin për çështjet e rëndësishme, duke përfshirë programin bërthamor iranian që është bërë burim polemikash.
Zonja Klinton mori në mbrojtje gjithashtu mbështetjen amerikane për shërbimin Twitter të mesazheve në internet, i cili është bërë një mjet tepër i rëndësishëm komunikimi për aktivistët iranianë.