Obama kërkon një qëndrim të ri ndaj shpenzimeve qeveritare

Presidenti Barak Obama po i bën thirrje Kongresit të paguajë për shpenzime të reja të qeverisë përmes rritjes së taksave apo shkurtimeve të buxhetit dhe jo me borxhe të reja. Por disa ligjvënës republikanë janë mosbesues për planin.

Presidenti Obama po i sfidon ligjvënësit që të miratojnë një sistem shpenzimi të quajtur “paguaj pak nga pak”, duke e kthyer në ligj.

“Rregulli është shumë i thjeshtë. Kongresi mund të shpenzojë një dollar nëse kursen një dollar diku tjetër”.

Zoti Obama tha dje se ky parim udhëheq familjet e përgjegjshme në menaxhimin e buxheteve të familjeve të tyre.

Në Shtëpinë e Bardhë, ai u tha ligjvënësve demokratë se ky program ndihmoi në hartimin e politikës fiskale të Shteteve të Bashkuara gjatë administratës së ish-presidentit Klinton.

“Dhe nuk është rastësi që ky rregull zbatohej kur lamë pas defiçite rekord dhe arritëm të realizonim bilance pozitive në vitet 1990 dhe që kur ky rregull u braktis ne iu rikthyem defiçiteve rekord që dyfishuan borxhin kombëtar”.

Disa republikanë në Kongres thonë se nuk duan të marrin leksione për përgjegjësinë fiskale nga një president që ktheu në ligj një paketë stimuluese prej 787 miliardë dollarësh.

Në një seancë të një nënkomisioni të senatit për financat, republikania Suzan Kollins tha se buxheti i zotit Obama do të dyfishonte borxhin e qeverisë për pesë vjet dhe do ta trefishonte atë në dhjetë vjet.

“Jam e shqetësuar se borxhi afatgjatë i kësaj administrate paraqet një kërcënim për qëndrueshmërinë e ekonomisë sonë. Nga do të vijnë paratë për të paguar këto borxhe?”

Ndërkohë presidenti Obama po përshëndet përpjekjet e disa prej bankave më të mëdha të Amerikës për të kthyer 68 miliardë dollarët që morën si ndihmë urgjente nga qeveria.

“Kjo nuk do të thotë se problemet tona morën fund, kemi ende shumë për të bërë. Kriza financiare që kjo administratë trashëgoi ende shkakton sfida të dhimbshme për bizneset dhe për familjet. Por është një shenjë pozitive. Po fillojmë të shohim fitimet e para për disa nga këto investime”.

Megjithatë, disa ekspertë me peshë të ekonomisë, të emëruar nga qeveria, thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të rivlerësojnë gjëndjen financiare të bankave më të mëdha të vendit. Ata paralajmërojnë se recesioni mund të keqësohet më shumë sesa kishte parashikuar qeveria.//kk//