Zyrtarët ushtarakë brazilianë thonë se ekipet e kërkimit kanë gjetur deri tani 17 trupa pa jetë nga avioni Air France 447, që u rrëzua gjatë fluturimit nga Rio de Zhaneiro për në Paris.
Në avion ndodheshin 228 veta kur ai u zhduk nga ekranet e radarëve më 31 maj. Zyrtarët thanë mbrëmë se janë gjetur mjaft mbeturina të avionit në ujrat në verilindje të ishujve Fernando de Noronja përballë brigjeve të Brazilit.
Ekspertët francezë thonë se është tepër herët të nxirret një përfundim për shkakun e rrëzimit të avionit që me sa duket ndodhi gjatë një moti me stuhi. Megjithatë ata po hetojnë rreth problemeve që mund të kenë patur instrumentet e leximit të shpejtësisë. Nëse sensorët nuk funksionojnë siç duhet, ata mund ta bëjnë avionin të fluturojë shumë shpejt ose shumë ngadalë duke shkaktuar pasoja katastrofike.
Ekspertët thonë se prodhuesi i avionëve Airbus kishte rekomanduar zëvendësimin e sensorëve të shpejtësisë në aeroplanët e tipit A330. Kompania Air France muk e kishte bërë ende zëvendësimin në avionin që u rrëzua në Atlantik. //ii