Gërdeci: Fatmir Mediu do të dalë para Gjykatës së Lartë

Në Shqipëri gjykata e lartë vendosi sot ndarjen e gjykimit për çështjen Gërdecit duke pranuar kërkesën e disa të pandehurve që procesi për ta të zhvillohet në gjykatën e shkallës së parë në Tiranë. Në këtë mënyrë, për shkak se ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, një ndër të akuzuarit e çështjes Gërdeci, është deputet, vetëm dosja e tij do të trajtohet në gjykatën e lartë.

Hetimi për shpërthimin e 15 marsit të vitit të kaluar ku humbën jetën 26 vetë, përbën një ndër më voluminozët të trajtuar nga Drejtësia shqiptare me 30 të pandehur, mes të cilëve thuajse të gjithë ish drejtuesit më të lartë të ushtrisë shqiptare.

Seanca për gjykimin e zotit Mediu do të zhvillohet më 15 qershor, ndërkohë që për të tjerët në gjykatën e Tiranës do të rinisin procedurat e hapjes së procesit. //iç//