Thaçi: Vendimi për vizitën e zotit Tadiç, në interes të Kosovës

Në Kosovë kanë vazhduar debatet rreth vizitës së presidentit serb Boris Tadiç në Manastirin e Deçanit gjatë së cilës ai e quajti Kosovën pjesë të Serbisë.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha mbrëmë në Prishtinë se vendimi i tij për t’i dhënë leje presidentit serb që të vizitonte Kosovën ishte në interes të shtetit të ri. Ai i bëri komentet pas kthimit nga një vizitë në Slloveni.

Zoti Thaçi tha se leja u dha duke patur parasysh faktin se ushtrimi i lirive fetare është i garantuar nga të gjitha konventat ndërkombëtare dhe duke e konsideruar këtë si një vizitë private dhe të natyrës fetare.

"Ky ka qenë një vendim me interes shtetëror i një vendi sovran dhe të pavarur. Unë nuk kam deficit patriotik në jetën time. Vendimet i marr në përputhshmëri me interesat e shtetit dhe të ardhmes euroatlantike të vendit...pa u bazuar në kalkulime personale të çastit apo të ngushta," tha Kryeministri Thaçi.

Leja për vizitën u kritikua nga një pjesë e opozitës dhe e mediave të cilat thanë se presidenti serb ka shpërfillur qendrimet e institucioneve të vendit. Vizita e zotit Tadiç u mundësua me ndërhyrjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë dhe ambasada amerikane në Prishtinë e cilësoi dhënien e lejes një vendim të drejtë. //ii