Margaret Rupli Uduard, korrespondentja e parë amerikane

Gjatë viteve të hershme të transmetimeve radiofonike në Shtetet e Bashkuara, femrat nuk punësoheshin si gazetare. Ato ishin ose artiste ose punonin prapa skenave. Por që nga Lufta e Dytë Botërore kjo prirje filloi të ndryshonte. Pesë amerikane u bënë korrespondentet e para të lajmeve që njoftonin mbi zhvillimet e luftës nga Evropa. Mes tyre ishte Margaret Rupli Uduard e cila ishte stacionuar në Hollandë.

Margaret Rupli Uduard gjendej në Hollandë në vitin 1940 ku punonte për rrjetin radiofonik NBC. Ajo ishte korrespondentja e parë femër e këtij rrjeti. Ajo transmetonte drejtpërdrejt përmes valëve të shkurtra ku u tregonte amerikanëve se çfarë po ndodhte në Hollandë pak muaj para se Gjermania naziste ta pushtonte atë vend.

“Unë jam Margaret Rupli Uduard. Ju flas nga Hollanda. Hollandezët po ndjekin me vëmendje zhvillimet e pranverës në Evropë. Hollanda ka vuajtur po aq shumë nga lufta mes aleatëve në Gjermani sa edhe vetë palët luftuese.”

Uduard nuk ishte gazetare kur u mor në punë, por ajo ishte e arsimuar dhe fliste disa gjuhë. Ajo ndodhej në Amsterdam me burrin e saj Dejvid Uduard, gazetar i një gazete britanike. Tani, në moshën 99 vjeçare ajo kujton se sa me fat ishte.

“Ata donin një zë amerikan, dhe unë e kisha këtë. Ata donin dikë me një zë kumbues, dhe zëri im ishte i tillë. Mendoj se ata nuk arritën të gjenin një burrë, ndërsa unë isha e lirë të punoja.”

Në Amsterdam, ajo u takua me Eduard Morou, një gazetar amerikan i famshëm për njoftimet e tij gjatë luftës.

Murou punonte për rrjetin CBS. Ai kishte punësuar fotografen Meri Marvin Brekinrixh si korrespondenten e parë femër të rrjetit. Ajo transmetonte prej vendeve të ndryshme të Evropës. Megjithëse zonja Uduard punonte për një rrjet rival, zoti Murou e këshillonte atë se si t’i shkruante kronikat.

Zonja Uduard thotë se rrjeti NBC e kishte lejuar të shkruante për çfarë të donte, por censuruesit ushtarakë hollandezë duhej të miratonin shkrimet e saj. Ajo kujton të kaluarën ndërsa lexon një shkrim të datës 10 mars 1940.

“Asnjë aeroplan i huaj nuk do të lejohet të ulet në aeroportin e Amsterdamit pas ditës së nesërme. Dhe kudo para ndërtesave qeveritare, zyrave të gazetave dhe vendeve të tjera të rëndësishme janë vendosur roje.”

Gjermania e pushtoi Hollandën pas dy muajsh. Ditën e parë të sulmit, një bombë shpërtheu para ndërtesës prej ku transmetonte zonja Uduard. Atë ditë ajo nuk arriti ta transmetonte raportin e saj. Pasi Gjermania pushtoi Hollandën rreziku i qëndrimit atje u rrit. Ajo dhe burri i saj ikën në Angli me një anije qymyrguri.

“Fika shporetin ku po gatuhej pula, mora ca çorape për Dejvidin, brushat e dhëmbëve për ne dhe u larguam me rrobat që kishim në trup.”

Nga Londra, zonja Uduard njoftoi për ikjen e saj nga Hollanda. Për gjashtë muaj me radhë ajo ishte gazetare shumë e vlerësuar. Ajo u largua nga Londra, u kthye në Shtetet e Bashkuara dhe i kërkoi NBC-së të punonte si gazetare me orar të plotë.

“Ata qeshën me mua. Unë shkova tek studiot e NBC-së dhe i thashë të më merrnin në punë, por përgjigja ishte jo.”

Pas Luftës së Dytë Botërore, asnjë nga katër femrat e tjera korrespondente nuk u dëgjuan më në transmetime. Edhe ato që u përpoqën, nuk arritën të gjenin punë në rrjetet e transmetimit. //ii