Stuart Xhouns: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme

Përvjetori i parë i pavarësisë së Kosovës e gjen shtetin e ri me një bilanc pozitiv arritjesh, thekson Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit Stuart Xhouns:

"Do të doja të përgëzoj popullin e Kosovës në emër të Shteteve të Bashkuara me rastin e 1-vjetorit të pavarësisë. Ka qenë një vit arritjesh të mëdha. Shtetet e Bashkuara janë shumë krenare që kanë qenë partnere të këtij procesi. Isha në Kosovë pak muaj më parë. Kudo nga hedh sytë sheh përparim, qindra kilometra rrugë të reja, dhjetëra shkolla të reja, 54 vende ku përfshihet pjesa më e madhe e Evropës e kanë njohur Kosovën. Kemi parë përparim real thuajse në çdo fushë."

Ritmet e deritanishme të njohjes së Kosovës, megjithëse shqetësuese për shumë analistë që presin një përparim më të madh në këtë drejtim, janë, sipas zotit Xhouns të kënaqshme dhe kanë treguar një progres gradual që lë vend për optimizëm:

"Nuk e shoh statusin e njohjeve si problem. Aktualisht jemi shumë më përpara se kisha menduar se sa do të ishim në këtë moment. 54 vende është një numër i konsiderueshëm. Shumë vende e shohin këtë proces nga prizmi i përparësive të tyre kombëtare; ndoshta ata vendosin të mos e njohin vendin e ri për arsye që nuk lidhen me Kosovën, por me çështje rajonale, politike dhe ndoshta edhe me marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara, ngaqë ne kemi lidhje kaq të ngushta me Kosovën. Këto ritme të njohjes nuk janë shkak për dekurajim. Në fillim një numër vendesh e njohën shumë shpejt Kosovën dhe më pas kemi vërejtur njohje graduale që vazhdoi deri me njohjen nga Panamaja së fundmi. Prandaj mendoj se procesi po ecën mirë."

Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të vazhdojmë të jenë të angazhuara ë këto përpjekje. Uashingtoni është në kontakt me vende të ndryshme në botë dhe në përgjithësi ka marrë përgjigje shumë pozitive, tha zoti Xhouns.

Megjithë analizën pozitive të arritjeve të deritanishme, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Xhouns thekson se shteti i ri vazhdon të përballet me një numër sfidash madhore që kërkojnë vëmendje serioze nga autoritetet:

"Për Shtetet e Bashkuara, sovranitateti është i padiskutueshëm, pavarësia është e pakthyeshme. Tani autoritetet duhet të punojnë për integrimin e të gjitha komuniteteve. Ky vend është atdheu i një numër etnicitetesh, ka shumë grupe që nuk janë të qarta për autoritetet në Prishtinë, për këtë arsye autoritetet duhet të gjejnë gjuhën e komunikimit dhe t'i sigurojnë këto komunitete se kanë një të ardhme të sigurtë në Kosovë."

Zoti Xhouns thekson edhe një herë se integrimi i këtyre komuniteteve në institucionet dhe shoqërinë kosovare është e vetmja alternativë e mundshme dhe se megjithë problemet në veriun e Kosovës, integriteti territorial i vendit është i pacënueshëm.

"Për Shtetet e Bashkuara sovraniteti është i padiskutueshëm dhe pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe ndarja territoriale nuk është opsion. Pa diskutim, ka njerëz në Mitrovicë të cilët nuk e njohin autoritetin e Prishtinës. Integrimi i këtyre komuniteteve është një proces që është hasur në pjesë të tjera të Ballkanit dhe të botës. Zgjidhja e problemit kërkon vullnet të mirë, punë serioze dhe mendësi novatore. Ky është një proces i realizueshëm nëse punojmë së bashku."

Në përvjetorin e parë të pavarësisë së Kosovës, Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Stuart Xhouns përshëndet me optimizëm arritjet e deritanishme të shtetit të ri, duke nënvizuar aspektet, që ai shpreson të shënojnë progres të ndjeshëm në përvjetorin e dytë të pavarësisë:

"Do të doja të shihja rritje ekonomike, do të doja të shihja një fuqizim të sektorit privat si dhe një integrim më të madh mes komunitetit shqiptar dhe atij serb në Kosovë për të krijuar një shoqëri që është realisht shumetnike."

Shtetet e Bashkuara, thekson zoti Xhouns, do të vazhdojnë të jenë një partner i fuqishëm ekonomik dhe politik i Kosovës në përpjekjet e saj për realizimin e këtyre objektivave. //ad//