Azia Jugore  në qendër të vëmendjes së administratës së re amerikane

Zyrtarë të administratës Obama kanë sinjalizuar ndryshime të qarta në politikën e jashtme amerikane. Sipas tyre, presidenti Barak Obama do të përqendrohet më shumë në Azinë jugore sesa në Irak. Edhe i dërguari i ri special i presidentit për Pakistanin dhe Afganistanin, Riçard Hollbruk do të vizitojë Azinë jugore duke filluar nga e hëna. Le t’i hedhim në vazhdim një vështrim tensioneve dhe sfidave para zotit Hollbruk.

Që pas sulmeve në Bombei të Indisë nëntorin e kaluar, tensionet në Azinë jugore janë shtuar. Zyrtarë indianë shprehin zemërim me siç e quajnë ata përgjigjen e mefshtë të Pakistanit ndaj pretendimeve indiane sipas të cilave Pakistani ka dorë në sulmet terroriste. Ja se ç’thotë, ministri i brendshëm indian zoti Çidambaram.

"Mes Indisë dhe Pakistanit ka shumë lidhje. Nëse Pakistani nuk përgjigjet siç duhet atëherë këto marëdhënie do të ftohen vazhdimisht e mund të prishen një ditë”.

Por ky është vetëm një nga problemet me të cilat do të përballet i dërguari special Riçard Hollbruk gjatë vizitës së tij të parë në rajon. Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit Robert Ud:

"Zoti Hollbruk nuk po çon atje ndonjë mesazh nga Presidenti apo Sekretarja e Shtetit. Dhe nuk po shkon atje për të dhënë mësim, por për të dëgjuar”.

Zoti Hollbruk do të gjejë në rajon një Pakistan të prekur nga konflikti, ku sipas OKB-së 200 mijë vetë janë zhvendosur si pasojë e luftimeve në kufirin veriperëndimore të vendit.

E ndërsa operacionet qeveritare kanë nën shënjestër organizatën al-Kaeda dhe elemente talibane, militantët po kështu po godasin qytetet kryesore të Pakistanit.

Në Afganistan, ndërsa trupat e NATOs po luftojnë militantët islamikë, qeveria e presidentit Hamid Karzai po përballet me kritika brenda dhe jashtë vendit për korrupsion dhe mbi paaftësinë për të ulur sasinë e kultivimit të bimëve narkotike në pjesën jugore të vendit. Ai po kështu është kritikuar ndjeshëm mbi vdekjen e civilëve si pasojë e sulmeve të NATOs dhe atyre amerikane.

Afganistani po kështu pritet të jetë në axhendën e zotit Hollbruk gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin indian Nju Delhi.

"India është një vend i rëndësishëm në rajon dhe ka interesa në Afganistan. Dhe zoti Hollbruk kërkon të dëgjojë nga qeveria indiane sesi mund të bashkëpunojmë të gjithë për paqe dhe stabilitet në Afganistan”, thotë zëdhënësi Ud.

Ekspertët thonë se administrata e re amerikane e kupton se rreziku i militantëve në Afganistan dhe Pakistan nuk mund të trajtohet ndarazi. Lorens Korb është studies në Qendrën Amerikane për Përparim.

"Zoti Obama e kupton se Afganistani nuk mund të sillet nën kontroll pa zgjidhur Pakistanin. Dhe ai do të merret me të dyja çështjet”.

Por ish ambasadori amerikan në Afganistan Robert Fin thotë se ambasadori Hollbruk pritet të përballet me sfida të vështira në rajon.

"Sfida e vërtetë është që aktorët në rajon të përfshihen në bisedime dhe të mbajnë premtimet e bëra. Në këtë aspekt besoj se zoti Hollbruk po përballet me një situatë të vështirë në Pakistan dhe Afganistan krahasuar me ish Jugosllavinë”.

Ambasadori Hollbruk po viziton Evropën para vizitës së tij në rajon. Dhe në një moment kur presidenti Obama po gëzon mbështetje të madhe në Evropë, pritet të shihet sesa nga kjo mbështetje do të përkthehet në zotime konkrete mbi Afganistanin. //ek//