Lavrov: Moska e gatshme për pakësimin e arsenalit bërthamor

Ministri i Jashtëm rus thotë se Moska është e gatshme për të pakësuar më tej arsenalin bërthamor, në se mbahen bisedime me Uashingtonin për një marrëveshje të re për pakësimin e armëve.

Zoti Sergej Lavrov po ashtu i bëri thirrje Presidentit Barak Obama të braktisë politikat e paraardhësit të tij, duke përfshirë edhe planet për ndërtimin e sistemit të mbrojtjes nga raketat në Republikën Çeke dhe Poloni.

Gjatë komenteve të bëra në televizionin rus dje, zoti Lavrov tha se Kremlini është i gatshëm për të shkuar drejt pakësimit dhe kufizimit të arsenalit të armëve, përsa kohë që një veprim i tillë nuk do të rrezikonte sigurinë kombëtare të vendit.

Moska ka kohë që është përpjekur për të zevendësuar Traktatin për Pakësimin Strategjik të Armëve, START, mes Shteteve të Bashkuara dhe ish Bashkimit Sovjetik, afati i së cilës skadon në dhjetor të 2009-ës.//lk