Trupat amerikane në Afganistan mund të dyfishohen

Një zyrtar i lartë i ushtrisë amerikane tha se në vitin e ardhshëm Shtetet e Bashkuara mund të dyfishojnë numrin e trupave në Afganistan.


Shefi i Shtabit të Bashkuar të SHBA-së, admirali Majkëll Mullen, u tha sot gazetarëve në Kabul se 30 mijë trupa shtesë mund të shkojnë në Afganistan nga mesi i vitit 2009.


Deri tani Shtetet e Bashkuara kanë 31-mijë trupa që po shërbejnë në Afganistan, ku disa prej tyre operojnë në kuadrin e forcës për sigurinë të NATO-s.


Zyrtarë ushtarakë amerikan thonë se Uashingtoni tashmë ka autorizuar edhe një njësi luftarake shtesë të aviacionit prej rreth 3 mijë trupash, të cilat priten të dërgohen në Afganistan në fillim të vitit tjetër.


Komandanti i forcave amerikane dhe të NATO-s, Gjenerali David McKiernan, ka kërkuar së paku katër brigada shtesë, ose afërsisht 20 mijë ushtarë për të luftuar kundër kryengritjes së Talibanit.//lk