Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë filloi sot shtrirjen e tij në gjithë Kosovën. Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se dita e sotme shënon një kapitull të ri në historinë e Kosovës.
Shefi i EULEX-it Yves de Kermabon tha se që nga ora 8 e mëngjesit misioni i tij ka marrë përsipër në bashkëpunim me qeverinë, të gjitha përgjegjësitë mbi sundimin e ligjit në Kosovë.
Mbi 1 mijë e 400 pjesëtarë ndërkombëtarë dhe mbi 500 vendas të këtij misioni janë shpërndarë nëpër stacionet e policisë, doganat dhe gjykatat e Kosovës, përfshirë edhe veriun vendit, tha zoti de Kermabon.
"Aktualisht kemi rreth 100 njerëz në veri të Kosovës. Kemi prani edhe në vendkalimet 1 dhe 31 me policë kufitarë dhe doganierë. Kemi disa policë edhe rreth ndërtesës së Gjykatës së Qarkut dhe 10 njerëz nga ekipi i drejtësisë brenda gjykatës që janë në kontakt me partnerët e tyre. Gjithashtu jemi në kontakt të ngushtë me komandantët e stacioneve policore në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq”, tha zoti de Kermabon.
Vendosja e pjesëtarëve të EULEX-it në veri përfshirë edhe dy vendkalimet kufitare të djegura pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka kaluar pa incidente, ndërsa forcat paqeruajtëse kishin shtuar masat e sigurisë. Përfaqësuesit e komunitetit serbë në këtë zonë, skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës thanë se nuk do të pengojnë EULEX-in por do ta injorojnë atë. Zyrtarë të EULEX-it thanë se shtrirja e tyre po bëhet në qetësi edhe në pjesët tjera të Kosovës.
Udhëheqësit e vendit presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi e përshëndetën fillimin e punës së këtij misioni duke e siguruar për mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës.
“Në mbështetjen e lirisë demokracisë të integritetit të Kosovës dhe të mbështetjes të institucioneve të saj në fusha të rëndësishme që janë sundimi i ligjit dhe siguria”, tha presidenti Sejdiu.
“Sot është një ditë e një rëndësie të vecantë, e hapjes së një kapitulli të ri për Kosovën. Kemi shtrirjen e autoritetit të EULEX-it në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Është një fillim simbolik edhe në veri por me një vendosmëri dhe domethënie të veçantë që tash do të fillojë edhe ushtrimi i autoritetit të institucioneve të republikës së Kosovës”, theksoi kryeministri Thaci.
Shefi i i zyrës civile ndërkombëtare Pieter Faith tha se dita e sotme shënon një hap të ri të rëndësishëm për marrëdhëniet më të afërta ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. “Misioni ka nevojë të përmbushë detyrën e tij me mbështetjen kombëtare të të gjitha komuniteteve dhe gjithë qytetarëve në Kosovë”, tha zoti Faith, duke ju referuar kundërshtimeve që pasuan shqetësimet e ngritura rreth procesit të ri konfigurimit të pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë edhe shqetësimet tërësinë tokësore të vendit.
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se idetë për ndarjen e Kosovës janë zëra të atyre që duan ta dëmtojnë qëndrueshmërinë e rajonit. “Janë teza jashtëzakonisht të rrezikshme që mund të sjellin fatkeqësi të shumta për shumë kë. Kosova nuk ka qenë e përcaktuar asnjëherë që të hyjë në lëvizje të tilla që do të ishin hapje e “kutisë së Pandorës” që thuhet vazhdimisht dhe për të hyrë në ri konfigurimin e kufijve të Evropës Juglindore. Prandaj ne e çmojmë këtë stabilitet...”, tha presidenti Sejdiu.
Autoritetet besojnë se vendosja e EULEX-it do të ndihmojë integrimin e komunitetit serb. Qindra pjesëtarë të policisë së Kosovës bojkotuan punën pak pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt.
Në Graçanicë afër Prishtinës sot ishin vetëm pesë policë të këtij komuniteti që pritën zyrtarët e EULEX-it. Komandanti i stacionit të policisë në këtë fshat me shumicë serbe Nebojsha Popovic beson se kolegët e tij do të kthehen në punë. “Policët tanë nuk janë përjashtuar nga puna. Ata edhe sot e kësaj ditë i marrin pagat nga Policia e Kosovës dhe shpresoj që së shpejti brenda 10 apo 15 ditëve të kthehen në punë", tha Nebojsha Popovic.
Në shkurt të këtij viti, Bashkimi Evropian kishte rënë dakord për vendosjen e EULEX-it në Kosovë, por shtrirja e tij u shty disa herë me radhë për shkak të kundërshtimit të Beogradit i cili i mbështetur nga Rusia vazhdon t’i kundërvihet pavarësisë së Kosovës, të cilën deri tash e kanë njohur 53 vende të botës. (ze)