Sekretarja e Shtetit, Kondolisa Rajs, thotë se Pakistani mban “përgjegjësi
të veçantë” për të ndihmuar në hetimet për sulmet terroriste të javës së kaluar
në Bombei. Zonja Rajs e bëri këtë
deklaratë dje në Nju Deli, gjatë vizitës së saj për uljen e tensionit në rritje
mes Indisë dhe Pakistanit. Ndaj
Pakistanit është shtuar presioni për të goditur ekstremistët që veprojnë në
teritorin e tij.
Protestuesit marshuan në Islamabad me thirrje kundër Shteteve të Bashkuara, kur
Sekratarja e Shtetit, Kondolisa Rajs mbërriti në New Deli. Në një konferencë shtypi, zonja Rajs i shprehu ngushëllimet popullit të Indisë
dhe tha se Pakistani mban përgjegjësi të veçantë për të ndihmuar në hetimet për
sulmet vdekje-prurëse terroriste në Bombei.
“Unë e kam thënë se Pakistani duhet të veprojë me vendosmëri e shpejtësi, si
dhe të bashkëpunojë plotësisht dhe me transparencë. Ky mesazh i është transmetuar dhe do t’i
transmetohet përsëri Pakistanit, dhe vjen në një kohë kur bashkëpunimi mes të
gjithë njerëzve që vuajnë nga këto sulme terroriste është i domosdoshëm”.
India thotë se nga hetimet e një sulmuesi të vetëm që u kap i gjallë, del se grupi terrorist kashmiras, Lashkar-e-Taiba me bazë në Pakistan, ishte i implikuar në këto sulme. Por Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari i tha kanalit televiziv CNN se qeveria e tij nuk do t’ia dorëzojë ata Indisë, por do t’i gjykojë në Pakistan.
Pakistani është zotuar të bashkëpunojë në procesin e hetimeve, por hodhi poshtë akuzuat se agjencitë e tij të zbulimit ishin të implikuara në këto sulme.
Pakistani thotë se ekstremistët kashmiras, si ata të grupit Lashkar, janë luftëtarë të lirisë, por karakterizon si terroristë ekstremistët islamikë që veprojnë në zonën perëndimore në kufi me Afganistanin dhe se ka ndërmarrë operacione për goditjen e tyre.
Ekspertja e gazetës Uashington Post për çështjet e Azisë Jugore, Pam Constable, thotë se Pakistani nuk duhet të vazhdojë me këtë argument diferencues.
“Ata përpiqen t’i diferencojnë këto dy grupe për arsye politike dhe strategjike. Ata nuk mund të vazhdojnë më me një vështrim të tillë”.
India thotë se grupi Lashkar është i lidhur me agjencinë e zbulimit ushtarak të Pakistanit, të njohur si ISI. Por senatori amerikan, Xhek Rid, i tha kanalit televiziv ABC se agjencitë pakistaneze të zbulimit janë përpjekur të distancohen nga këto grupe.
“Për mendimin tim, klima politike në Pakistan tani ka ndryshuar. Ata e kanë të qartë se këto grupe janë të rrezikshm për vetë atë vend, dhe nuk veprojnë vetëm kundër afganasve dhe indianëve”.
Ligjvënës të tjerë thonë se Pakistani duhet të bashkëpunojë me Indinë për të mposhtur ekstremistët në Kashmir, pasi eventualisht India duhet të përfshihet në çdo përpjekje për të zgjidhur problemet Pakistan-Afganistan. Senatori republikan, Riçard Lugër thotë se Pakistani duhet ta ketë të qartë këtë.
“Besoj se pakistanezët e kanë tashmë të qartë se ne i mbështesim. Po ashtu edhe FMN-ja, por në një formë tjetër, duke u dhënë atyre një hua prej 7,6 miliardë dollarësh, pasi Pakistani është i falimentuar financiarisht”.
Të dy këta senatorë veteranë thonë se mbështesin plotësisht idenë e presidentit të zgjedhur, Barak Obama, për dërgimin e një delegacioni të nivelit të lartë me mision diplomatik në Indi dhe Pakistan për t’i bindur të dy palët të zgjidhin mosmarrëveshjen për Kashmirin. //iç//