Kosovë: Zgjatet paraburgimi për të dyshuarit e shpërthimit në Prishtinë

Një gjykatë në Kosovë e zgjati për 30 ditë paraburgimin e tre shtetasve gjermanë të arrestuar nën dyshimin për sulm kundër zyrës civile ndërkombëtare në Prishtinë.
Më 14 nëntor një mjet shpërthyes për të cilin policia beson se ishte një masë e tipit trotil prej 200 deri në 400 gramësh, u hodh në oborrin e zyrës civile ndërkombëtare. Shpërthimi shkaktoi dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.


Tre gjermanët e arrestuar mohuan përfshirjen e tyre në këtë incident, ndërsa prokurori i çështjes ka kërkuar që ata të akuzohen për akt terrorizmi, vepër kjo që me ligjet në fuqi mund të dënohet deri në 20 vjet heqje lirie. Mjetet e informimit në Kosovë dhe në Gjermani kanë njoftuar se tre të arrestuarit janë pjesëtarë të shërbimit gjerman të zbulimit, BND, por këto njoftime nuk janë pohuar zyrtarisht.


Incidenti në oborrin e zyrës civile ndërkombëtare, qëu dënua ashpër nga institucionet vendase e ndërkombëtare, ndodhi në një periudhë kur autoritetet në Prishtinë refuzuan një marrëveshje të arritur ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Serbisë për shtrirjen në Kosovë të Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë i njohur si EULEX. //mm//