Presidenti i zgjedhur Barak Obama thotë se Shtetet e Bashkuara po përballen me një krizë të paparë ekonomike dhe se duhet bërë më shumë për të kthyer njerëzit në vendet e punës. Zoti Obama tha se ai i ka kërkuar ekipit të tij ekonomik të hartojë një plan sipas të cilit deri në janar të vitit 2011 do të krijohen 2.5 milionë vende të reja pune. Duke folur në fjalimin e përjavshëm të Partisë Demokrate zoti Obama tha se ka ndërmend ta çojë me shpejtësi këtë plan për miratim në Kongres.
"Do t’i kthejmë njerëzit në vendet e punës, do të rindërtojmë rrugët dhe urat tona që po rrënohen, do të modernizojmë shkollat që janë jashtë standarteve, do të ndërtojme turbina ere dhe panela diellore, do të prodhojmë makina ekonomike dhe krijojmë forma alternative të energjisë çka do të na shpëtojë nga varësia tek karburantet nga shtetet e huaja dhe do ta forcojë ekonominë tonë."
Zoti Obama pranoi se kriza ekonomike nuk do të ketë zgjidhje të shpejta, krizë që sipas tij është krijuar prej vitesh. Por ai tha se së bashku me mbështetjen e demokratëve dhe republikanëve duhet vepruar pa vonesa.
"Hapat që do të ndërmarrin nuk kanë për qëllim vetëm ta nxjerrin vendin nga kriza. Këto janë investime afatgjata për të ardhmen tonë ekonomike të cilat janë lënë në harresë prej shumë vitesh."
Sipas njoftime të fundit, zoti Obama do të emërojë shefin e Bankës Federale të Nju Jorkut Timoti Gaitner si Sekretarin e Thesarit. Mediat amerikane njoftojnë se zoti Obama do ta bëjë publik këtë lajm gjatë ditës së nesërme. Zoti Geitner është një nga zyrtarët kryesorë bankarë në Shtetet e Bashkuara i cili hartoi politikat e interesit bankar si dhe mori vendime të tjera për të shmangur rritjen e inflacionit dhe papunësitë gjatë drejtimit të Bankës Federale të Nju Jorkut. Lajmi u prit pozitivisht nga indeksi Dou Xhouns që pati një rritje prej gati 500 pikësh.
Industria e makinave në Shtetet e Bashkuara ka nevojë urgjente për ndihmë pasi tre kompanitë më të mëdha të makinave General Motors, Ford and Chrysler po përballen me probleme gjigante financiare. Kohët e fundit presidenti Bush nënshkroi një ligj ku autorizoi deri në 25 miliardë dollarë si kredi për të ndihmuar tre kompanitë të prodhojnë makina ekonomike çka është kundërshtuar nga disa ligjvënës të cilët kanë propozuar që këto para t’i shkojnë këtyre kompanive në rast të ristrukturimeve ekonomike. //ad//