Rruga drejt Shtëpisë së Bardhë është shpesh e vështirë. Por ka një ndryshim mes të qenit një kandidat i suksesshëm dhe një president i suksesshëm. Zëri i Amerikës pyeti disa ekspertë këtu në Uashington rreth aftësive që kërkohen për të drejtuar nga Shtëpia e Bardhë dhe aftësive për të mbajtur premtimet e bëra gjatë fushatës. Gjatë fushatës, Barak Obama fymëzoi miliona amerikanë me premtimin e tij për shpresë.
Fushata e tij shkëlqeu përsa i përket organizimit dhe mesazhit të saj.
Bill Galston, i institutit Brukings, një institucion me prirje liberale, ka
qenë këshilltar politik i presidentit Klinton. "Gjëja më e rëndësishme, thelbi i
çdo fushate të suksesshme është mesazhi që ajo rrezaton. Një mesazh i cili ka kuptim, një mesazh i cili
kumbon fort -
thotë ai
Zoti Galston thotë se fushata e Obamës jo vetëm që përmbante një mesazh të fortë. Kandidati diti se si t’i bënte votuesit të kapërcenin frikën.
“Mendoj se gjëja më e rëndësishme që ai bëri ishte se e paraqiti veten përpara popullit amerikan si një njeri i sigurt, i qendrueshëm, dhe i disiplinuar sa duhet për t’ju besuar presidenca e vendit."
Por nëse fati i një fushate varet nga koalicionet që ndërton, qeverisja është diçka tjetër, sepse ajo ka të bëjë me marrje vendimesh që mund të zemërojnë një pjesë njerëzish. Zoti Obama ka premtuar shkurtime taksash për klasën e mesme.
"Kush fiton më pak se 250 mijë dollarë në vit, taksat nuk do t’i ngrihen as edhe një cent,” deklaroi ai gjatë fushatës.
Brian Darling i Fondacionit konservator Heritage, në Uashington DC thotë se kur një kandidat bëhet president, kemi një humbje të kontrollit.
"Ai do të mund të flasë për problemet nga Zyra Ovale, do t’i paraqesë Kongresit propozime por ai do të ketë humbur mjaft kontroll, kur projektligjet t’i vijnë në tryezë për t’i firmosur."
Por si mund ta kalojë Presidenti Obama programin e tij përmes Kongresit? Një mënyrë, thonë analistët, është që Presidenti t’i bëjë lëvizjet e tij të matura. Gjatë viteve të presidentit Klinton, Leon Panetta ishte shef personeli i Shtëpisë së Bardhë. Ai thotë se Presidenti Klinton u tregua tepër agresiv në fillim dhe kjo i acaroi marrëdhëniet e tij me Kongresin.
"Bill Klinton u mor qysh në fillim me çështjen e homoseksualëve në ushtri. Dhe ishte e qartë se kjo nuk ishte aspak çështja me të cilën duhej filluar puna në një presidencë."
Si president, zoti Obama do të bëjë politikën e jashtëme amerikane. Gjatë fushatës ai tha se është i gatshëm të takohet me presidentin iranian Mahmoud Ahmadinejad. Mirëpo qysh tani, udhëheqësit botërorë po i ofrojnë atij këshilla. Lidhur me Iranin dhe programin e tij bërthamor, ministri i jashtëm francez, Bernard Kouchner ka thënë se çdo vendim për të biseduar me Teheranin duhet menduar mirë.
Por ai ka shprehur edhe shpresë. "Ky është një votim global për Barak Obamën dhe atë që ai përfaqëson por është edhe një mesazh i qartë për atë që na ka munguar – shumë shanse të munguara."Zoti
Obama bëhet presidenti i 44 – Shteteve të Bashkuara më 20 janar. //mm//