Forcohen marrëdhëniet mes Rusisë dhe Venezuelës

Presidenti rus Dmitri Mevedev ka në plan të shkojë këtë muaj në Venezuelë. Ky udhëtim përkon me manovrat e përbashkëta mes Rusisë dhe Venezuelës në Detin e Karaibeve dhe tregon jo vetëm për shtimin e lidhjeve mes të dy vendeve, por edhe për një prirje të Mosksë, për të zgjeruar ndikimin në Hemisferën Perëndimore.

Një flotë ruse,ku përfshihet edhe anija me energji bërthamore “Pjetri i Madh” është nisur drejt Karaibeve, për të kryer manovra detare me Venezuelën.

Prania ruse ringjall kujtimet e përplasjeve të Luftës së Ftohtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë gjatë krizës së raketave me Kubën.

Majkëll Shifter ekspert për Amerikën Latine në organizatën për dialog të brendshëm në Uashington, thotë se ky veprim i Rusisë është një përgjigje gjeopolitike ndaj përkrahjes amerikane për Gjeorgjinë gjatë ndërhyrjes së Moskës atje në muajin gusht.

"Mendoj se kjo ka të bëjë me një lloj hakmarrjeje lidhur me reagimin e Shteteve të Bashkuara ndaj krizës së Gjeorgjisë dhe ndaj anijeve ruse në Detin e Zi. Rusia do të tregojë me këtë veprim, se është një lojtare në këtë hemisferë." - thotë ai

Presidenti i Venezuelës Hugo Çavez ka patur lidhje me Rusinë gjatë viteve, duke e vizituar atë vend, për të nënshkruar marëveshje të ndryshme, mes tyre edhe për blerjen e armëve.

Avionët luftarakë rusë janë shitur në Venezuelë dhe Karakasi ka blerë 100 mijë pushkë të tipit Kalashnikov për ushtrinë e vet.

Zoti Çavez flet me përçmim për shqetësimet amerikane lidhur me shitjen e armëve dhe për manovrat e përbashkëta ushtarake.

"Spekullimet tashmë kanë filluar. Është zëri i amerikanëve, sipas të cilëve, bazat sekrete do të ngrihen kudo dhe rusët do të vendosin atje bomba atomike...." - thotë zoti Çavez

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Thomas Shannon, tha në një intervistë që dha për televizionin Rojters se këto manovra nuk përbëjnë ndonjë shqetësim.

“Kemi të bëjmë me Rusinë dhe jo më me Bashkimin Sovjetik. Me fjalë të tjera, rusët nuk kanë më një plan ideologjik. Veprimet e saj drejtohen nga politika afatshkurtëra në fushën politike dhe atë ekonomike, sidomos përsa i përket shitjes së armëve. Është diçka që ne po e ndjekim tani nga afër me shqetësim të madh”.

Lidhjet përherë e më të mëdha të Rusisë me Venezuelën dhe manovrat e planifikuara detare nuk duhet të përbëjnë shqetësim për askënd, thotë Zëvendës Minsitri i Jashtëm rus Sergei Riabkov.

“Duket sikur të gjithë janë mësuar me idenë që anijet tona luftarake të jenë nëpër baza dhe avionët tanë nëpër hangarë, duke menduar se kështu do të jetë gjithmonë”. - thotë zoti Riabkov

Përveç lidhjeve miqësore me Venezuelën, zyrtarët rusë po i zgjerojnë lidhjet me Bolivinë dhe me vende të tjera të Amerikës Latine.

Fokusi është kryesisht ekonomia, si për shembull, një marrëveshje për të investuar në fushat gazmbajtëse të Bolivisë.

Por zgjerimi i ndikimit të Rusisë në Amerikën Latine mund të paraqesë problem për Uashingtonin, thotë eksperti për Amerikën Latine, Michael Shifter.

“Kjo mund ta ndihmojë Amerikën Latine, që t’i zgjerojë mundësitë e veta ekonomike, nëpërmjet zgjerimit të marrëdhënieve. Mendoj se kjo është diçka e mirë. Kjo përbën problem kur kemi marrëdhënie të tendosura amerikano-ruse dhe veçanërisht kur manovrat zhvillohen pranë Shteteve të Bashkuara”. - thotë ai

Manovrat ruso-venezueliane do të përkojnë me një vizitë të Presidentit rus Dmitri Medvedev në Karakas, ku ai do të takohet me Presidentin Hugo Chavez. Kjo vizitë pritet nga fundi i këtij muaji.//mm//