Prishtina vazhdon të refuzojë kushtet për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e quajti situatë të paplanifikuar gjendjen e krijuar në vend pas refuzimit të propozimit 6 pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, për shtrirjen e e EULEX-it në Kosovë. Ai tha se qëndrimi i institucioneve të Kosovës mbetet i pandryshuar, por nuk janë mbyllur dyert për vazhdimin e bisedimeve me komunitetin ndërkombëtarë për shtrirjen e EULEX-it në gjithë vendin. Prishtina refuzoi marrëveshjen e arritur ndërmjet UNMIK-ut dhe Beogradit lidhur me gjashtë pikat e propozuara nga sekretari i përgjithshëm që përfshijnë çështjet që kanë të bëjnë me policinë, drejtësinë, doganat, kufijtë, transportet dhe trashëgiminë kulturore e fetare.

”Qëndrimi i institucioneve të Kosovës vazhdon të mbetet një qëndrim tashmë unik i gjithë spektrit politikë dhe vullnetit të popullit të Kosovës që elemente substanciale të dokumentit gjashtë pikësh janë të papranueshme për institucionet e Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

Për udhëheqësit politikë në Prishtinë, të papranueshme janë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me shkallën e konsiderueshme të autonomisë në fushat e policisë, drejtësisë dhe doganave në veriun e vendit, skenë e kundërshtimeve të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës.

Beogradi është pajtuar që EULEX-i të shtrihet në tërë Kosovën me kusht që ai të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, jetë i paanshëm ndaj statusit të Kosovës dhe të mos zbatojë planin e krye negociatorit Martti Ahtisaari.

Kryeministri Thaçi tha se për Kosovën do të ishte e pranueshme një zgjidhje që do të respektonte, pavarësinë, sovranitetin dhe kushtetutën e republikës si dhe në tërësi dokumentin e krye negociatorit Martti Ahtisaari.

Autoritetet ndërkombëtarë paralajmëruan vazhdimin e bisedimeve për këtë çështje. Ambasadorja amerikane në Prishtinë Tina Kaidanow në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, shprehu besimin se gjatë ditëve të ardhshme do të gjendet një kompromis për shtrirjen e EULEX'it. Atëherë ka do të ketë një sistem unik ligjor dhe do të ruhet integriteti i Kosovës, ka thënë ambasadorja Kaidanoë duke bërë thirrje që të mos politizohet kjo çështje. Edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë shprehur bindjen se gjatë ditëve të ardhshme do të arrihet një zgjidhje, duke i bërë thirrje Prishtinës që të pranojë marrëveshjen.

Kryeministri i vendit Hashim Thaçi shprehu gatishmërinë për vazhdimin të bisedimeve por hodhi poshtë mundësinë e imponimit të marrëveshjes së mbështetur nga Beogradi. “Për Prishtinën nuk do të ketë imponime. Ne jemi në proces që është i hapur. Beogradi mund të prezantojë cka mund të prezantojë, por ëndrrat e Beogradit për të preku sovranitetin e Kosovës kanë vdekur, apo janë varrosur më 17 shkurt të këtij viti”, theksoi kryeministri Thaçi.

Fillimi i punës së rreth 2 mijë pjesëtarëve të Misionit të EULEX-it që është paraparë më planin e zotit Ahtisaari është shtyrë disa herë me radhë për shkak të kundërshtimit të Beogradit dhe serbëve të Kosovës. Pranimi i kushteve të vëna nga Beogradi ka bërë që trysnia të përqendrohet mbi udhëheqësit politikë në Prishtinë të cilët ditëve në vijim presin një seri tjetër bisedimesh të vështira për këtë çështje. (ze)