Mishel Obama, zonja e parë afrikano-amerikane

Më 20 janar, Mishel Obama do të bëhet zonja e parë. Gjatë fushatës presidenciale ajo u kritikua për një koment që bëri për suksesin e bashkëshortit të saj dhe mbajti një pozicion më të tërhequr. Pozicioni i ri do të jetë i fundit në një sërë barrierash që Mishel Obama ka kapërcyer.

Çifti Obama dhe vajzat e tyre Malia dhe Sasha do të jetojnë në shtëpinë më prestigjoze të Amerikës, Shtëpinë e Bardhë. Nuk është hera e parë kjo që zonja Obama të jetë pioniere. Si fëmijë në Çikago, ajo dhe familja e saj jetuan në një lagje me të bardhë. Liza Mundy ka shkruar një biografi për zonjën Obama. Ajo thotë se ata nuk ishin të mirëpritur. “Një nga eksperiencat e saj të para si fëmijë ka qënë mundësia më e madhe ekonomike e familjes së saj, një lagje më e mirë, një shtëpi më e mirë, por ajo përjetoi edhe faktin se familjet e bardha i qëndronin larg familjes së saj, edhe pse ajo po ngrihej”.

Më pas, Mishel ishte ndër të parat studente afrikano-amerikane në universitetin e Princtonit. Prej andej ajo shkoi në Harvard për drejtësi dhe më pas u punësua në një firmë të njohur avokatie në Çikago ku takoi bashkëshortin e saj të ardhshëm. Zonja Obama është e ndërgjegjëshme se ajo dhe familja e saj do të jenë model për të tjerët.

“Do të jetë një simbol për shumë djem dhe vajza të reja, veçanërisht për fëmijët me ngjyrë që nuk e kanë parë ndonjëherë një skenar të tillë”.

Liza Mundy thotë se familja e parë mund të ndihmojë në zhdukjen e steriotipeve racore.

“Përsa i përket imazheve dhe steriotipeve që njerëzit kanë për afrikano-amerikanët, duke parë tani familjen e parë, do të shtohen ndjenjat e të gjithëve për mundësi dhe shpresë dhe do të zhduken steriotipet”.

Gjatë fushatës, Mishel Obama u kritikua pasi bëri këtë koment rreth suksesit të bashkëshortit të saj.

“Për herë të parë në jetën time si e rritur ndjehem krenare për vendin tim”. Pasi patriotizmi i saj u kritikua, ajo sqaroi komentet por mbajti gjithashtu një pozicion më pak të dukshëm në fushatë. Liza Mundy thotë se zonja e parë nuk do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në administratën e presidentit Obama.

Por ajo është mbështetëse për familjet punëtore dhe veçanërisht ato ushtarake dhe mund ta bëjë këtë kauzën e saj.

Shoqja e saj e ngushtë Angela Acree thotë se pasioni i vërtetë i zonjës Obama është rritja e vajzave të saj. “Mendoj se ajo e pozicionon veten tek ajo që është më e rëndësishme për të dhe mendoj se në këtë moment të jetës është rritja e vajzavem, në mënyrë që ato të mbrojtura të qeta dhe të lumtura”. Edhe pse ka patur karrierën e saj, Michelle Obama duket se i pëlqen roli tradicional i nënës dhe gruas.