Presidenti Klinton në fushatë përkrah kandidatit demokrat Obama

Ish-presidenti amerikan Bill Klinton tha në një tubim fushate për kandidatin demokrat në zgjedhjet presidenciale, se Barak Obama “përfaqëson të ardhmen e Amerikës.”

Zoti Klinton i bëri komentet të mërkurën në një tubim të zhvilluar në Florida. Ky ishte aktiviteti i parë për fushatë, ku ishin të pranishëm si zoti Klinton edhe zoti Obama. Ish-Presidenti amerikan tha se zoti Obama duhet të zgjidhet president për filozofinë e tij, për politikat dhe aftësitë e tij, veçanërisht për potencialin e tij për të ndryshuar jetën e njerëzve.

Kandidati demokrat Obama e cilësoi zotin Klinton si një president dhe një burrë shteti të madh.

Disa orë para tubimit, kandidati demokrat për president, Barak Obama theksoi përsëri thirrjen e tij për ndryshim në një reklamë të transmetuar nga një numër kanalesh në kohën e pikut të ndjekshmërisë. Reklama u kritikuar ashpër nga rivali i zotit Obama, kandidati republikan Xhon Mekein.

Në reklamën 30-minutëshe, e cila kushtoi miliona dollarë për realizimin dhe koston e transmetimit, Obama zotohet të ndihmojë klasën e mesme dhe të ulë taksat për shumicën e amerikanëve. Senatori nga Ilinoi u zotua gjithashtu të ndryshojë politikat amerikane ndaj Irakut dhe të kalojë disa nga fondet që përdoren për luftën në atë vend, në shpenzime për përdorim të brendshëm.

Zoti Mekein kritikoi reklamën para se të transmetohej. Në komentet që bëri në Florida, kandidati republikan tha se rivali i tij Obama është në gjendje të paguajë për reklama të tilla, pasi ka hequr dorë nga angazhimi për të përdorur vetëm fonde publike, sepse deshi të grumbullonte fonde nga burime private. Zoti Mekein tha se plani ekonomik i zotit Obama do të rriste taksat dhe do ta dëmtonte ekonominë. Të dy kandidatët i përqendruan përpjekjet dje në shtete kritike për votimet e 4 nëntorit. //ad//