Profesori i politikës në Universitetin e Nju Jorkut, Shinasi Rama thotë se pavarësisht se cili do të jetë president i Shteteve të Bashkuara, lidhjet e Amerikës me Shqipërinë do të vazhdojnë të forcohen. Përsa i përket këtyre marrëdhënieve, thotë ai, shumë gjëra do të varen nga politikanët shqiptarë dhe jo nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Komuniteti shqiptar i Amerikës, thotë profesor Shinasi Rama, vazhdon të jetë i çorganizuar, pavarësisht organizatave që shtrojnë dreka e darka. “Në të vërtetë komuniteti shqiptar nuk është i organizuar mirë politikisht, ne nuk kemi një lob tonin dhe strukturat me të cilat të influencojmë në mënyrë të mirëfilltë në politikën e jashtëme dhe në politikën amerikane. Ajo që na mungon më së tepërmi është një vizion që duhet të vijë nga trojet shqiptare, i cili mungon edhe nuk është. Shqiptarët nga trojet e ndryshme përpiqen të influencojnë në politikën amerikane duke ndjekur politikat e tyre lokale, që ato mendojnë se u intereson. Por në të vërtetë nuk ka një interes mbarëshqiptar që të na bashkojë të gjithëve, që ta dimë se ku është e mira e tërë shqiptarëve dhe çfarë duhet të bëjmë.” //ii