Megjithëse ka mbetur më pak se një muaj deri në datën e zgjedhjeve presidenciale, ende ka votues të pavendosur në Shtetet e Bashkuara. Debati i fundit presidencial mes kandidatëve Barak Obama dhe Xhon Mekein, u mbajt në një formë diskutimi me një audience të përbërë pikërisht nga votues të pavendosur. Një analizë e zgjedhësve tregon gjithsesi se votuesit e pavarur janë të paktë dhe numri i tyre po zvogëlohet ndërkohë që elektorati po bëhet gjithnjë e më i polarizuar.
Kryeqyteti i Teksasit, Austin, shpesh cilësohet si një ishull liberal në një det konservator. Këtu njerëzit përgjithësisht votojnë për demokratët, ndërsa vetë shteti Teksas është në masë dërrmuese konservator. Në Austin, përkrahja për Barak Obamën duket qartë. Megjithatë, edhe këtu ka republikanë, një prej të cilëve është Melisa:
"Përgjithësisht ne i diskutojmë pikëpamjet tona politike vetëm me ata që e dimë që kanë të njëjtat pikëpamje. Ndërsa me shoqërinë flasim për tema të tjera."Melisa pohon se pak a shumë ajo i shmang temat politike.
Melisa mishëron një prirje mbarë-kombëtare: amerikanë me pikëpamje të kundërta politike preferojnë të mos bëjnë diskutime mbi politikën me njëri-tjetrin.
Kjo mund të ketë të bëjë me vendin ku njerëzit zgjedhin të jetojnë, shpjegon Bill Bishop, bashkautor i librit me titull: "Përse grumbullimi i njerëzve me pikëpamje të njëjta po përçan Amerikën."
"Kur njerëzit zgjedhin zonën ku do të vendosen për të jetuar, ata marrin njëkohësisht edhe një vendim mbi zgjedhjet e tyre politike."Zoti Bishop thotë se njerëzit që jetojnë në zonat urbane zakonisht anojnë më shumë nga demokratët, ndërsa ata që jetojnë në periferi dhe në zona rurale kanë prirje më pro-republikanëve.
"Zakonisht sa më e rallë popullata në një vend, aq më republikane është ajo zonë."
Një tjetër rezultat është se fqinjët përforcojnë pikëpamjet politike të njëri-tjetrit, gjë që shoqërohet me mungesë tolerance ndaj personave me pikëpamje të kundërta:
"Njerëzit revoltohen kur dikush nuk mendon si ata, pasi janë mësuar të shohin rreth vetes njerëz me të njëjtat pikëpamje."
Kjo prirje është theksuar nga polarizimi i disa mjeteve të informimit, të cilat e mbështesin mbulimin e ngjarjeve në një kahje të caktuar ideologjike.
Zoti Bishop thotë se statistikat zgjedhore gjatë dekadave të fundit konfirmojnë tezën e tij se vendi po polarizohet gjithnjë e më shumë në vija partiake:
"30 vjet më parë kishte njerëz që ishin vërtetë të pavarur, por numri i tyre ka rënë."
Autori shpjegon se ka vënë re rritje të theksuar të zonave që mbështesin njërën anë të spektrit politik, si për shembull komuna ku njëri kandidat gëzon një epërsi mbi 20 për qind krahasuar me kundërshtarin.
Në vitin 1976, rreth 27 për qind e komunave në Shtetet e Bashkuara shfaqnin prirje për mbështetje në masë pro një kandidati. Në vitin 2004, numri i komunave të tilla ka arritur afro 50 për qind.
Për momentin, duket se modeli politik gjen një pasqyrim shumë të qartë tek ky banor i Austinit, i quajtur Dale:
"Vijat partiake janë goxha të kristalizuara," thotë ai.Kur e pyesin nëse një
gjë e tillë i shërben Amerikës, Dale përgjigjet se do të ishte më mirë sikur të
gjithë të kishin të njëjtin mendim si ai vetë. //bsa//