Duke
folur sot para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që pritet të jetë edhe
fjalimi i tij i fundit atje, Presidenti Bush theksoi se administrata e tij dhe
Kongresi do të veprojnë me vendosmëri për të frenuar krizën financiare
amerikane. Presidenti Bush po ashtu u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të
qëndrojnë të bashkuar kundër terrorizmit dhe të mos lejojnë përhapjen e armëve
bërthamore.
Fjalimi i Presidentit Bush para Asamblesë së Përgjithshme u dominua nga lufta kundër terrorizmit, një temë që ka qënë në qendër të gjithë mesazheve të tij para OKB-së, që nga viti 2001.
Por ndërsa Uoll Striti, vetëm disa kilometra larg OKB-së, është mbërthyer këto ditë nga kriza financiare, që po ndihet në mbarë botën, presidenti e siguroi komunitetin ndërkombëtar, se administrata e tij është e vendosur të rikthejë stabilitetin ekonomik.
“Javën e kaluar unë shpalla
disa masa të fuqishme, që qeveria amerikane do të marrë për të përmirësuar ata
faktorë, që ishin në themel të kësaj paqëndrueshmërie në tregjet tona
financiare. Qeveria do të marrë përsipër borxhet e këqia, që po dëmtojnë
korporatat dhe po pezullojnë procesin e huadhënies. Unë dua t’ju siguroj, se
administrata ime dhe Kongresi, po bashkëpunojnë për të miratuar me shpejtësi
ligje, mbi të cilat do të mbështetet kjo strategji e qeverisë. Unë kam besim se
ne do të veprojmë brenda harkut kohor urgjent.”
Duke folur për terrorizmin, Presidenti
Bush tha se Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, duhet të
përqëndrohen në strategjinë parandaluese dhe jo në miratimin e rezolutave që i
dënojnë këto akte, pasi ato të jenë kryer.
Ai i bëri sfidë idesë që i trajton të gjitha format e qeverisjes si njëlloj të tolerueshme dhe shtoi se komuniteti global duhet t’i kundërvihet tiranisë dhe dëshpërimit si kushtet bazë që lejojnë lulëzimin e terrorizmit dhe ekstremizmit.
“Organizatat shumë-palëshe duhet të përgjigjen duke e dënuar pa asnjë hezim terrorizmin. Asnjë shkak nuk mund të justifikojë vrasjen e qëllimshme të të tjerëve. Komuniteti ndërkombëtar është pranë një marrëveshjeje globale për këtë. Shumica e vendeve në këtë asamble janë dakort se taktika të tilla, si shpërthimet vetë-vrasëse, pengjet dhe rrëmbimet, në asnjë rast nuk mund të justifikohen si të ligjshme.”
Presidenti Bush tha se pavarësisht nga mosmarrëveshjet që mund të kenë pasur vende të ndryshme rreth ndërhyrjes amerikane në Irak, në vitin 2003, ato të gjitha duhet të përshëndesin përparimin e vënë re së fundi drejt stabilitetit dhe paqes dhe të jenë të bashkuara në ndihmën e tyre që demokracia në Irak të triumfojë.
Presidenti po ashtu bëri thirrje për mbështetjen e zhvillimeve demokratike në Afganistan, Liban, territoret palestineze, në Ukrainë dhe Liberi mes vendeve të tjera, si dhe bëri thirrje për solidaritet me popullin e Gjeorgjisë, ku siç tha ai, ndërhyrja e Rusisë në muajin gusht, ishte shkelje e parimeve që themeluan OKB-në.
“Karta e OKB-së, parashikon të drejta të barabarta për të gjitha vendet, të mëdha e të vogla. Ndërhyrja e Rusisë në Gjeorgji ishte shkelje e këtyre parimeve. Demokracitë e reja në botë po vëzhgojnë se si ne do t’u përgjigjemi akteve të tilla. Shtetet e Bashkuara kanë punuar me aleatët në institucionet shumë-kombëshe si Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, për të ruajtur integritetin territorial të Gjeorgjisë dhe për të dhënë ndihma humanitare. Vendet tona do të vazhdojnë të mbështesin demokracinë e Gjeorgjisë.”
Presidenti Bush
theksoi përpjekjet dhe ndihmat prej disa miliarda dollarësh që qeveria e tij ka
dhënë për të luftuar sëmundjen e Sidës dhe malaries në Afrikë dhe u bëri
thirrje edhe vendeve të tjera të mbajnë angazhimet që kanë marrë para Asamblesë
së Përgjithshme të OKB-së dhe Fondit Global, për të luftuar këto sëmundje.
Po ashtu ai bëri thirrje për
rigjallërimin e përpjekjeve për të hequr pengesat tregëtare, duke i cilësuar si
zhgënjyese mosmarrëveshjet e fundit në takimin e Dohas për heqjen e tarifave.
Megjithatë presidenti tha se takimi i Dohas nuk është fjala e fundit për këtë
çështje.//rd//