Presidenti rus Dmitri Medvedev kohët e fundit ka folur për një zonë ndikimi të privilegjuar në botë. Ai hodhi poshtë konceptin e një bote njëpolare ku një superfuqi, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë mbi të gjitha të tjerat në çështjet ndërkombëtare. Gazetarja e Zërit të Amerikës, Xhudit Latham bisedoi me gazetarë rusë, ukrahinas, gjeorgjianë dhe azerbajxhanas mbi pasojat e pretendimeve të Rusisë, sipas së cilës ajo është vendi më me ndikim në shtetet që u shkëputën nga ish Bashkimi Sovietik.
Gazetarja ruse Masha Lipman, redaktore e revistës Pro dhe Kundër e publikuar nga Qendra Karnegi në Moskë thotë se rusët e shohin ndërhyrjen gjeorgjiane në Osetinë e Jugut si arsye e konfliktit të fundit në rajonin e Kaukazit. Kjo, thotë zonja Lipman, ishte një justifikim perfekt për kundërveprimin rus.
Ky ishte një mision kundërveprimi rus që sipas perëndimit doli jashtë kontrollit. Njohja e njëanshme nga pala ruse e provincave separatiste të Gjeorgjisë dhe fakti që Rusia nuk respektoi tërësinë territoriale gjeorgjiane e forcuan edhe më shumë këtë bindje. Çfarë mund të themi me siguri është që Rusia ka fuqi politike në shumë ish republika të Bashkimit Sovietik dhe Moska nuk ka ndërmend të bëjë kompromis me perëndimin apo të frikësohet nga kërcënimet perëndimore.
Zonja
Lipman thotë se përgjigja ruse vuri në veprim atë që ish presidenti dhe tanimë
kryeministri rus Vladimir Putin kanë
thënë prej vitesh - Rusia nuk do të
lejojë që Gjeorgia apo Ukraina të bëhen anëtare të NATOs. Dhe siç thotë zonja
Lipman, Perëndimi i shpërfilli këto qëndrime duke shpresuar nga Rusia që të
hiqte dorë nga to.
Zonja
Lipman po kështu sqaron se ngjarjet e Gjeorgjisë tregojnë kufijtë e fuqisë
amerikane. Ajo vëren se kur Uashingtoni nuk kishte mundësi të kontrollonte
aleatin e vet, presidentin gjeorgjian Mikail Sakashvili, nuk kishte më asnjë mundësi për ta shpëtuar
atë nga pasojat.
Sipas gazetares ruse, edhe Ukraina është në pozitë të dobësuar. Siç thotë ajo, jo vetëm që shumica e popullatës së Krimesë ka origjinë ruse, por ajo gjithashtu flet rusisht.
Gazetari ukrainas Jevhen Hlibovitski thotë në Kiev se njerëzit nuk kanë shumë besim tek shpjegimet e Moskës se shqetësimi kryesor rus është kundërshtimi ndaj anëtarësimit në NATO i Ukrahinës. Siç thotë ai:
"Arsyeja e vërtetë është që Rusia po përpiqet të rifitojë ndikimin që dikur e ka pasur mbi ish republikat sovietike në kohën e Bashkimit Sovietik. Dhe po të mos ishte çështja e anëtarësimit në NATO, puna do të ishte ndryshe. Ne shohim paralelizma të qarta mes turpërimit të Rusisë në vitet 90 me një gjendje të ngjashme të Gjermanisë në vitet 20 të shekullit të kaluar. Aneksimi i Republikës Çeke nga Gjermania naziste në vitin 1938 është shumë i ngjashëm me çfarë po ndodh tani me Osetinë e Jugut. Këtu nuk bëhet fjalë për NATO, por për luftëra moderne pasaportash. Ka fjalë se Rusia po pajis me pasaporta ruse dhe po i jep nënshtetësi ruse ukrainasve në rajonin e Krimesë dhe banorëve të Trans-Dniestrisë në republikën e Moldavisë njësoj si vepruan në Abkazi dhe Osetinë e jugut. Kjo me pak fjalë do të thotë që Rusia po përpiqet të fitojë terren me tezën e ashtuquajtur mbrojtje e banorëve rusë që jetojnë jashtë".
Por në
Ukrainë, ndryshe nga Gjeorgjia, ka pak mbështetje për anëtarësim në NATO edhe
pse presidenti i vendit e mbështet fuqishëm anëtarësimin. Sipas zotit David
Nikuradze nga radiotelevizioni i pavarur
Rustavi 2, gjeorgjianët janë të të njëjtit qëndrim kundër dominimit rus
në rajon.
"Asnjëherë nuk do të ketë një tjetër Bashkim Sovietik. Gjeorgjia është e pavarur dhe njerëzit në vend do të vendosin nëse duan miqësi me Shtetet e Bashkuara, apo Bashkimin Europian apo NATOn. Ajo që ka më tepër rëndësi është që Moska të respektojë tërësinë territoriale të Gjeorgjisë".
Sipas gazetarit të pavarur Shahin Abasov, fqinji i Gjeorgjisë, Azerbaixhani e sheh ndryshe gjeopolitikën e rajonit. Ai thotë se presidenti i vendit Ilham Alijev nuk ka ndonjë qëndrim publik pro apo kundër Rusisë. Ai thotë se qeveria e Azerbajxhanit preferon të jetë e balancuar mes perëndimit dhe Rusisë.
Javën e kaluar, nënpresdenti amerikan Dik Çejni ishte në Baku ku u përpoq të bindë Azerbajxhanin të mbështeste Uashingtonin në lidhje me gazsjellësin transkaukazian i cili do të kalojë nga Turkmenistani nëpëmjet Azerbajxhanit, Gjeorgjisë dhe Turqisë duke e anashkaluar Rusinë. Siç thotë zoti Abasov, presidenti azerbajxhanas nuk dha asnjë premtim dhe po përpiqet të fitojë kohë e të shohë si do shkojnë punët me Gjeorgjinë. Ai thekson se Azarbajxhani është shumë i dobët ndaj trynsisë ruse.
Ndërkaq ndihmëssekretari amerikan i Shtetit Daniel Frid thotë se Rusia nuk duhet të lejohet të vendosë një vijë të re ndarëse në Europë. Ndërsa kryetari i Komisionit për Marrëdheniet me Jashtë në senatin amerikan Karl Levin ka thënë se Uashingtoni duhet që, në të njëjtën kohë t'i tregojë Rusisë se pretendimet ruse mbi zonat e influencës duke shkelur sovranitetin e vendeve të tjera janë të papranueshme, por në të njëjtën kohë të punojë me Rusinë aty ku lidhen interesat strategjike të të dy vendeve.//rd//