Serbia thotë se do përpiqet t'i forcojë lidhjet me BE-në

Serbia tha se do të vazhdojë të përpiqet për forcimin e lidhjeve me Bashkimin Europian, megjithë veton holandeze për çështjen e shtimit të përfitimeve tregtare të Beogradit nga BE-ja. Zëvendës kryeministri i Serbisë për integrimin në Bashkimin Europian, Bozhidar Gjeliç, kritikoi sot ashpër Holandën për veton që vuri të hënën në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së.

Zoti Gjeliç e quajti veton të padrejtë dhe akuzoi Holandën se po përpiqet të ngadalësojë përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE. Ai tha se Beogradi do të vazhdojë të mbrojë interesat e tij strategjike me synimin për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian deri në vitin 2012.

Të hënën, ministrat e jashtëm të BE-së nuk arritën të bindin Holandën të hiqte dorë nga kundërshtimi për çështjet tregtare megjithë përmirësimin e bashkëpunimit të Serbisë me Gjykatën e Hagës. Holanda thotë se do ta heqë veton kur Beogradi të arrestojë personat e dyshuar për krime lufte, Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç.//lk