Rusia shpreh shqetësim për qëndrimin e Ukrainës ndaj saj

Rusia tha se është tepër e shqetësuar për ato që i cilëson si politika jo miqësore të Ukrainës karshi Moskës.

Ministria e jashtme ruse sot akuzoi qeverinë e Ukrainës se i ka dhënë Gjeorgjisë armë të rënda gjatë konfliktit të muajit të kaluar dhe ka fajësuar Rusinë për gjakderdhjen.

Ministria tha gjithashtu se aspiratat e Ukrainës për anëtarësim në Nato shkojnë kundër vullnetit të popullit të saj dhe se autoritetet ukrainase po shkelin të drejtat e rusëve etnikë në atë vend.

Tensionet kanë qënë gjithashtu në rritje lidhur me përdorimin në të ardhmen të portit Sevastopol të Ukrainës nga flota e Rusisë në Detin e Zi.

Dje, zyrtarë të Bashkimit Evropianë dhe ukrainas ranë dakort të forcojnë lidhjet por blloku nuk arriti t’i ofrojë Ukrainës një premtim të qartë për anëtarësim në të ardhmen.

Presidenti francez Nikola Sarkozi, vendi i të cilit mban presidencën e rradhës së BE-së, tha se Bashkimi mbështet fuqishëm integritetin territorial të Ukrainës.//lk