Qeveria e Kosovës emëron drejtuesit e misioneve të para diplomatike

Qeveria e Kosovës publikoi të enjten emrat e drejtuesve të misioneve të para diplomatike të saj nëpër botë. Ndrër të emëruarit janë shkencëtarë, veprimtarë të shoqërisë civile, gazetarë dhe këshilltarë politikë të drejtuesve të lartë të vendit. Ata do të jenë të ngarkuar me punë ndërsa emërimi i ambasadorëve do të ndodhë më vonë.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ka dekretuar hapjen e dhjetë misioneve diplomatike në Shtetet e Bashkuara, Britani të Madhe, Francë, Gjermani, Itali, Belgjikë, Austri, Zvicër, Turqi dhe Shqipëri.

Kosovën në Washington do ta përfaqësojë Avni Spahiu, në Londër Muhamet Hamiti, në Paris Muhamedin Kullashi, në Berlin Vilson Mirdita, në Romë Albert Prenkaj, në Bruksel Ilir Dugolli, në Bernë Naim Mala, në Vjenë Sabri Kiçmari, në Tiranë Gazmend Pula dhe në Ankara Bekim Sejdiu.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se ky është një moment tepër i rëndësishëm për vendin pas marrjes së përgjegjësive nga institucionet e shtetit të pavarur të Kosovës.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të këtij viti duke nxitur kundërshtimin e ashpër të Serbisë dhe aleates së saj Rusisë. Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 46 vende të botës përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.//kk//