Bashkësia ndërkombëtare i bën thirrje Gjeorgjisë dhe Rusisë t'i ndalin luftimet

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po ushtrojnë presion ndaj Rusisë dhe Gjeorgjisë që t’i japin fund luftimeve në Osetinë Jugore. Ministri i Jashtëm francez Bernard Kushner dhe Ministri i Jashtëm finlandez Aleksander Stab u takuan dje në Tbilisi me Presidentin gjeorgjian Mihail Sakashvili. Të dy ministrat thanë se nuk do të fajësojnë askënd për luftimet, por shtuan se nevojitet ndalimi i luftimeve dhe dërgimi i ndihmave humanitare në rajon. Sot zoti Kuchner dhe zoti Stubb kanë në plan të shkojnë në Moskë. Zyrtarët amerikanë e dënuan atë që nënpresidenti Dik Çejni e cilësoi “agresion rus” ndaj Gjeorgjisë dhe u bëri thirrje të dyja palëve t’i tërheqin forcat ushtarake në pozicionet që kanë patur para fillimit të luftimeve të premten.

Ndërkohë, mijëra gjerogjianë janë larguar nga qyteti Gori, nga frika e pushtimit të drejtpërdrejtë të trupave dhe tankeve ruse. Ky qytet është pranë kufirit të Osetisë Jugore dhe ka qenë objekt i sulmeve ajrore të Rusisë. Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë tha se avionët rusë bombarduan sot në orët e para të mëngjesit rajone në periferi të Tbilisit. Rusia tha se Gjeorgjia vazhdojnë të qëllojnë ndaj objektivave në Osetinë Jugore, megjithë ofertën e qeverisë për ndalimin e luftimeve dhe tërheqjen e trupave nga rajoni separatist. Rusia thotë se e ka tërësisht nën kontroll kryeqytetin e Osetisë Jugore, Tshinvali. Moska nuk i është përgjigjur drejtpërdrejt thirrjes së Gjeorgjisë për ndalimin e luftimeve dhe fillimin e bisedimeve të paqes.//lk