Vizita e presidentit Bush në Azi përshkohet me polemika

Presidenti Bush nesër niset për një vizitë në Azi, që ndoshta do të jetë vizita e tij e fundit si President amerikan në këtë kontinent. Presidenti do të vizitojë Korenë e Jugut, Tajlandën dhe Kinën ku do të marrë pjesë në hapjen e Lojërave Olimpike.


Nga Seuli e deri Pekin kjo vizitë ka zgjuar polemika ende pa filluar. Presidenti Bush pritej të vizitonte Korenë e Jugut para disa javësh, pas takimit të grupit të G8 në Japoni por ato plane u ndryshuan kur koreanojugorët organizuan një demonstratë të madhe për të kundërshtuar eksportet e mishit të gjedhit nga Shtetet e Bashkuara si dhe të shprehin pakënaqësinë ndaj qeverisë së tyre.

Biong Ki Kim nga universiteti i Seulit thotë se ajo kohë nuk ishte e përshtatshme për vizitën e presidentit Bush.” Para një muaji nuk ishte moment i përshtatshëm për vizitën e presidentit Bush. Ajo vizitë jo vetëm se do të mund të shfrytëzohej për çështjet dhe proceset e brendshme por do të mund të shfrytëzohej edhe në mënyrë joproduktive politike. Kjo ndodh shpesh edhe në vende të tjera të botës me vizita të presidentit amerikan, thotë ai."

Zoti Kim thotë se klima politike edhe pse ende e acaruar tani paksa është qetësuar. Ai thotë se me vizitën e presidentit Bush, qeveria do të dëshmojë se mund të menaxhojë përgjegjësitë e veta diplomatike. Bisedimet në Seul pritet të përqëndrohen në çështje të tregtisë dhe financave si dhe mbi statusin e forcave amerikane në Kore të Jugut. Por padyshim bisedimet do të dominihen nga ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut.

Derek Mitchell është ekspert i politikave të Azisë në Qendrën për Studime Stratgjike Ndërkombëtare në Washington. Ai e quan çështjen e programit bërthamor të Koresë së Veriut si një çështje të reputacionit dhe arritjeve politike të administratës së presidentit Bush.
” Presidenti Bush ka rrezikuar shumë për të ardhur deri në këtë moment, kur po i afrohemi periudhës së vështirë për verifikimin dhe deklarimin e programit bërthamor të Koresë së Veriut."

Gjatë vizitës në Tajlandë presidenti Bush pritet ta përqëndrojë vëmendjen te një pjesë tjetër problematike e botës-Birmaninë.

Profesori Titinan Pongusdirk nga universiteti Çulangorn në Bangok thotë se presidenti Bush mund të përqëndrohet shumë rreth Birmanisë dhe jo mjaft rreth çështjeve të tjera kritike në rajon.

Tajlanda do të jetë vendi i vetëm që presidenti Bush do të vizitojë në Azinë juglindore dhe do të çëndrojë më pak se 24 orë. Një ditë më pas ai do të shkojë në Pekin ku shpreson të luajë një rol tjetër, atë të tifozit të sportit.

" Mendoj se do të jetë mirë për këta atletë që kanë punuar aq shumë që të shohin presidentin e tyre duke valitur flamurin për ta, tha presidenti Bush."

Por sipas Derek Mitchel, presidenti e ka të vështirë që të shkëputet nga roli i tij dhe të bëhet tifoz i thjeshtë sporti sepse në çdo paraqitje të tij ai ka me vete tërë peshën dhe prestigjin e Shteteve të Bashkuara, kur të marrë pjesë në hapjen e Lojërave Olimpike.

Kritikët thonë se veprimet e Kinës në Tibet dhe në rajonin e Darfurit janë arsye të mjaftueshme që presidenti të bojkotojë ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike. Por zoti Mitchell thotë se meqë presidenti e pranoi ftesën nga presidenti Hu i Kinës, ai nuk mund ta kthejë atë prapa.

” Ai e pranoi ftesën menjëherë prandaj ishte shumë e vështirë që ta tërhiqte fjalën pa shkaktuar një lloj ofendimi për popullin kinez, thotë zoti Mitchel.

Presidenti Bush ka thënë se bojkotimi i Lojërave Olimpike do të ishte një fyerje për popullin kinez. Dhe gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë me sportistët pjesmarrës në olimpiadë, presidenti Bush tha se mezi priste që t’i përshëndeste ata në Lojërat Olimpike.” Pres me padurim që të përshëndes këta atletë dhe të ndajmë bashkë gëzimin në fitoret e tyre."

Presidenti tha se ai i konsideron atletët amerikanë si ambasadorë të lirisë të cilët do të përfaqësojnë dashurinë amerikane për lirinë në Pekin.//IB