Sejdiu, Thaçi: Shtetet e Bashkuara – aleati i madh i Kosovës

Vizita e udhëheqësve të Kosovës në Uashington dhe takimi i tyre me presidentin amerikan Xhorxh Bush, në Prishtinë është cilësuar si ngjarje historike. Të tillë atë e vlerësuan edhe vetë presidenti i vendit Fatmir Sejdiu e kryeministri Hashim Thaçi të cilët u kthyen sot pasdite në Prishtinë. Kjo ishte vizita e parë në Shtetet e Bashkuara që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt. Ky hap u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, ndërsa u kundërshtua ashpër nga Serbia dhe Rusia.

Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi kthimi i të cilëve u prit me një ceremoni të veçantë thanë se kjo vizitë ishte dëshmi e përkushtimit amerikan ndaj të ardhmes së shtetit të ri.

"Ne u sollëm sigurinë edhe një herë se Kosova do të jetë vend i demokracisë moderne, vend i të gjithë qytetarëve, me një respekt të veçantë për komunitetet pakicë dhe është shumë me rëndësi të themi se me këtë përkushtim të SHBA-ve u dhanë garancinë të fuqishme në mbështetjen e integritetit të plotë të Republikës së Kosovës si shtet sovran dhe demokratik në mbështetjen e ecjes së mëtejshme me njohje të reja që duhet të ipen nga vendet e tjera Republikës së Kosovës dhe shumë të tjera çështje që kanë të bëjnë posaçërisht me zhvillimin ekonomik. Prandaj, për ne ishte vërtetë një nder i madh që prezantuam republikën e Kosovës dhe ishte një qasje e veçantë e të gjithë atyre që mirëpritën delegacionin e Kosovës. Pra ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të thellë me SHBA-të, kemi mikun dhe aleatin e madh historik të popullit të Kosovës dhe do të jemi bashkë", - theksoi presidenti Sejdiu.

"Kjo vizitë, është edhe një shtytje e re në veçanti në relacionet e reja ndërshtetërore në mes Kosovës dhe Shteteve tw Bashkuara. Tash janë hapur mundësitë shtetërore, jo vetëm të mbështetjes politike por edhe të relacioneve dhe bashkëpunimit në të gjitha sferat e interesit ndërshtetëror, edhe në atë diplomatik, ekonomik dhe të sigurisë. Prandaj, mund të them se çdo qytetar i Kosovës duhet të ndihet mirë, duhet të ndihet krenar, me këtë relacion të shkëlqyeshëm të marrëdhënieve Kosovë – SHBA", tha kryeministri Thaçi.


Në Kosovë është vlerësuar lartë qëndrimi i presidentit Bush në mbështetje të pavarësisë dhe tërësisë tokësore të vendit.

Udhëheqësit e Kosovës janë të bindur se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën edhe në të ardhmen pavarësisht se kush do të fitojë në zgjedhjet e nëntorit. Analistët tërheqin vëmendjen se vizita e sapo përfunduar në Washington është edhe një detyrim më shumë për institucionet e vendit që të ndërtojnë një shtet funksional.//lk